Institucioni i Presidentit të Republikës zhvilloi këtë vit aktivitetin “Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike”, kushtuar veshjes popullore shqiptare.
Ky aktivitet u organizua nën kujdesin e Zonjës së Parë të Republikës, Armanda Begaj, me synim promovimin e veshjeve popullore shqiptare, nderimin dhe ruajtjen e trashëgimisë etnografike.
Pjesëmarrës ishin zonja me kontribut në jetën kulturore shqiptare, ambasadorë dhe bashkëshortet e ambasadorëve që shërbejnë në vendin tonë, si edhe personalitete nga fusha të ndryshme të artit.
Veshjet tradicionale nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga Kosova, si edhe veshjet arbëreshe, shfaqën larminë dhe origjinalitetin e tyre bashkë me elementë me vlera kulturore dhe artistike.
“Ne shqiptarët kemi trashëguar ndër shekuj e breza një pasuri të madhe të veshjeve popullore të punuara mjeshtërisht nga gra e vajza. Këto veshje përgjatë proceseve të ndryshme të zhvillimit historik, social e kulturor, krijuan dhe fizionominë tonë”, u shpreh Armanda Begaj.
Zonja e Parë vlerësoi në veçanti gratë që marrin përsipër riprodhimin e veshjeve popullore, duke ruajtur me fanatizëm origjinalitetin e tyre, ndërsa theksoi se gjithsecili jep kontribut në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore.
Top Channel