Mëngjesin e sotëm, në portin detar të Durrësit është ankoruar një kroçerë nga e cila zbritën për të vizituar vendin tonë në një tur njëditor rreth 500 turistë, kryesisht amerikanë.
Pas mbërritjes në port, sipas Autoritetit Portual Durrës, turistët janë nisur me autobusë të agjencive turistike vendase kryesisht drejt qyteteve të Krujës, Tiranës dhe Beratit, ndërsa një grup tjetër do të vizitojë gjatë ditës qytetin e Durrësit dhe sitet e tij arkeologjike dhe historike.
Kjo kroçerë me flamur të Bahamasit po kryen një lundrim turistik në Mesdhe. Para Durrësit, ajo kishte ndaluar në portin grek të Korfuzit dhe pritet të vazhdojë lundrimin mbrëmjen e sotme drejt Kotorrit të Malit të Zi.
Ndërkohë, turizmi përmes jahteve vijon të jetë gjithashtu i suksesshëm, duke sjellë të ardhura shtesë në arkën e shtetit përmes “taksës së luksit” dhe shërbimeve të tjera si furnizimi me karburant, që njohin edhe termin “turizmi i naftës”.
Çdo jaht që ndalon për t’u furnizuar me karburant pa akcizë dhe për të marrë shërbime të tjera në vendin tonë, kontribuon në rritjen e të ardhurave. Vetëm gjatë 8 muajve të parë të 2024-s u arkëtuan 1,1 miliard lekë nga taksa e karburantit.
Top Channel