Berlini zyrtar është duke ndjekur një politikë të rreptë kursimi, e për shkak të kësaj, në 2025, financimi gjerman për ndihmën humanitare në botë do të përgjysmohet.

“Na desh të pranonim shkurtime shumë të dhimbshme,” pranon Susanne Baumann, sekretare e shtetit në Ministrinë e Jashtme, e cila prezantoi një strategji të re se si të ndihmohet një numër në rritje i njerëzve në nevojë me më pak burime.

Sipas Baumann, ende është po luftohet në negociatat për buxhetin, por perspektivat se do të ketë rritje të financimit, duke pasur parasysh presionin ekzistues për kursime, janë të pakta.

Ministria e Jashtme dëshiron të riorganizojë strategjikisht ndihmën humanitare dhe në këtë mënyrë ta bëjë më efikase.

Për këtë kërkohet më shumë mbështetje tek organizatat lokale, koordinim më i mirë me vendet e tjera donatore, zvogëlim i burokracisë dhe nxitje e riorganizimit të agjencive të OKB-së që organizojnë ndihmën në nivel lokal.

Shumica e ndihmave humanitare paguhen përmes agjencive të OKB-së si Programi Botëror i Ushqimit (WFP). Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, rreth 310 milionë njerëz në nevojë janë të varur nga ndihmat e donatorëve ndërkombëtarë.

Tendenca madje është në rritje. Bëhet fjalë për ndihmë në rast fatkeqësish natyrore, situata lufte dhe lëvizje të refugjatëve, por jo për projekte afatgjata të ndihmës zhvillimore.

Fokusi i ndihmës nga Gjermania është aktualisht Ukraina, Gaza, Sudani, Siria, Jemeni dhe Mianmari. Shifrat e njerëzve në nevojë po rriten, ndërsa fondet po bien.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA