Një kapsulë SpaceX e dërguar për të rikthyer dy astronautë të bllokuar në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) është ankoruar.
Kapsula Dragon, e cila ka dy vende bosh për Butch Wilmore dhe Suni Williams, u ankorua në orën 17:30.
Dyshja mbërritën në stacion me kapsulën e re Starliner të Boeing për një mision tetë-ditor në qershor, por u detyruan të qëndronin atje për shkak të një defekti të zbuluar gjatë fluturimit. Ata tani pritet të kthehen në Tokë në shkurt.
Kapsula Dragon u ngrit nga Kepi Canaveral, Florida të shtunën duke mbajtur astronautin e NASA-s Nick Hague dhe kozmonautin rus Alexander Gorbunov.
Hague, i cili ka bërë një qëndrim të mëparshëm në ISS, dhe Gorbunov do të bashkohen me ekuipazhin e stacionit hapësinor përpara se të kthejnë Wilmore dhe Williams në Tokë.
Nisja ishte planifikuar për të enjten, por u vonua për shkak të uraganit Helene, i cili ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në të gjithë SHBA-në juglindore, përfshirë Florida, ditët e fundit.
Fluturimi origjinal i Starliner, i cili filloi më 5 qershor, ishte fluturimi i parë provë i asaj kapsule me astronautë në bord dhe përpjekja e parë e Boeing për të çuar astronautët në ISS.
BBC shkruan se gjatë fluturimit ai përjetoi një sërë problemesh, duke përfshirë rrjedhjet e heliumit, i cili përdoret në sistemin e tij shtytës, dhe problemet me disa nga shtytësit e tij.
Inxhinierët në Boeing dhe Nasa kaluan muaj të tërë duke hetuar, por në fund të gushtit Nasa vendosi se nuk do të ishte e sigurt të përpiqej të sillte Wilmore dhe Williams në shtëpi në bordin e Starliner.
Kapsula ishte vonuar për disa vite për shkak të pengesave gjatë zhvillimit të saj, si dhe problemeve të zbuluara gjatë fluturimeve testuese pa ekuipazh në 2019 dhe 2022.
Top Channel