Kryeministri libanez Najib Mikati shpalli të shtunën një zi kombëtare treditore pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, që ka ngjallur frikën për një konflikt më të gjerë në rajon.
Zyra e Mikatit në një deklaratë tha se flamujt do të ulen në gjysmështizë në të gjitha departamentet qeveritare, institucionet publike dhe komunat.
Deklarata shtoi se zyrat publike gjithashtu do të mbyllen në ditën e funeralit të Nasrallah. Hezbollahu, megjithatë, ende nuk e ka bërë të ditur datën e varrimit.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha të shtunën se Hassan Nasrallah, sekretari i përgjithshëm i grupit libanez Hezbollah u vra në një sulm të madh ajror në periferinë jugore të Bejrutit.
Menjëherë pas sulmeve, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se sulmi kishte në shënjestër shtabin kryesor të Hezbollahut, për të cilin ai pretendonte se ishte ndërtuar nën ndërtesa civile.
Shefi i Hezbollahut ishte renditur si një terrorist ndërkombëtar që nga viti 1995 nga Departamenti i Shtetit i SHBA, i cili ofroi një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacionin që çonte në kapjen ose vendndodhjen e tij.
Top Channel