Nata e dytë e festivalit të Serenatave në Korçë riktheu emocionet e patjetërsueshme të tingujve e zërave korçarë në skenën e ngritur në Pazarin e Vjetër.
Ndërthurja mes serenatës së vjetër që këndohej me kitarë poshtë dritareve dhe asaj të ripunuar që ruan identitetin, por vjen në një formë më moderne për brezin e ri ishte emocionuese për të gjithë artistët që u ngjitën në skenë. Për organizatorët ky edicion i parë shënjon fillimin e një rrugëtimi të ri për serenatën si pjesë e pandarë e kalendarit të aktiviteteve festive
“Më lejoni që së pari të them që ndihem në mënyrë fantastike që kam ardhur këtu në Korçë dhe që për herë të parë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke qenë këtu kam pasur mundësinë të dëgjoj serenatat korçare. Ne si përfaqësues të BE jemi shumë krenarë që jemi pikërisht ne ata që e sjellim këtë edicion të parë të këtij festivali në Korçë. Kjo për arsye se e kemi kuptuar se serenatat janë një pjesë shumë e fortë e traditës korçare dhe kemi kënaqësi dhe krenari që jemi pjesë e këtij eventi. Kjo është pjesë e punës që po bëjmë ne në Shqipëri.”, u shpreh Hubert Perr, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian.
Mbrëmja nisi me Korin Lira simbolin e serenatës dhe këngës korçare e më pas artistët më të njohur korçarë sollën për publikun këngët aq të dashura
Për dy netë me radhë Korçës ju rikthye atmosfera që vetëm serenata sjell si një prej aseteve më të rëndësishme të traditës së qytetit.
Top Channel