Kanë kaluar dy vite nga 19 Shtatori 2022, kur në mënyrë tragjike në Sarandë humbi jetën britanikja Rebecca Gannon, tek sa ishte zhytur të shikonte një anije të vjetër.
Me mbushjen dy vjet nga kjo ngjarje, familja e saj priste që prokuroria e Sarandës të mbyllte hetimet e ta çonte çështjen për gjykim. Por kjo nuk ka ndodhur. Pyetur nga gazetari Top Channel Muhamed Veliu, për ecurinë e këtij hetimi prokuroria e Sarandës thotë: Nga ana e prokurores së çështjes është disponuar me vendimet përkatëse të zgjatjes së afatit të hetimeve bazuar në nenin 324 të Kodit të Procedurës Penale. Në lidhje me kërkesën për kopje të vendimeve për zgjatjen e afatit të hetimeve, këto akte nuk mund t’ju vihen në dispozicion për shkak të sekretit hetimor.
Prokuroria e Sarandës jep edhe këtë shpjegim se çfarë fazë janë hetimet. “Aktualisht Prokuroria është duke kryer veprimet hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, konkretisht është në pritje të administrimit të aktit të ekspertimit teknik dhe në përfundim të hetimeve do të disponoj për mënyrën e përfundimit të tyre, vendimmarrje e cila do t’ju njoftohet palëve”.
Joey Gannon i vëllai Rebecces në një prononcim për Top Channel dha këtë koment për shtyrjen e hetimeve edhe me 3 muaj prej prokurorisë së Sarandës.
“Me të vërtetë kjo ta thyen zemrën. Nuk po arrimë ta kuptojmë se përse po merr kaq shumë kohë për të mbërritur në një konkluzion se përse motra ime humbi jetën. Kjo ka krijuar një situatë komplekse jo vetëm për mua por për të gjithë familjen tonë në Britaninë e Madhe. Jam i mendimit se nuk është bërë mjaftueshëm në hetimin e këtij rasti. Shtyrja e hetimeve na bën të pyesim nëse me të vërtetë një ditë këto hetime do të përfundojnë dhe nëse do të ngrihen akuza të tjera krahas atyre ngritur për personin që marrë si i pandehur“, tha ai.
George Gannon babai Rebeckes më të shumtin e kohës e shpenzon në Sarandë në kërkim të së bijës.
“Jo vetëm që kam humbur motrën time Beccky dy vite më parë por si familje kemi humbur edhe babain. Figurën qendrore të familjes. Ai është zhvendosur në Shqipëri për ti shtyrë gjërat në bërjen drejtësi për motrën tonë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne si familje jemi në pritje të një përgjigje. Unë dhe të gjithë ne, e kemi të pamundur të kuptojmë përse po merr kaq shumë kohë për tu bërë drejtësi”, u shpreh ai.
Deri më tani prokuroria e Sarandës ka ngritur dy akuza ndaj Saimir Kushovës pronarit të kompanisë së zhytjeve për “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “punësim i paligjshëm”. Ai u la i lirë me detyrim paraqitje pas një garancie pasurore në shumë 1.5 milion lekë e më pas jo zyrtarisht mësohet se ndodhet i arrestuar në Greqi për trafik droge pasi theu lirinë me kusht pranuar nga gjykata Sarandë.
Top Channel