Reperi dhe producenti Curtis “50 Cent” Jackson ka konfirmuar se po punon në një dokumentar për Netflix që shqyrton akuzat e krimeve të supozuara ndaj Sean “Diddy” Combs.
Këtë lajm e bëri të ditur publicisti i Jackson, duke nënvizuar se dokumentari është në fazën e prodhimit dhe do të drejtohet nga Alexandria Stapleton.
Ky projekt vjen pas arrestimit të Combs në New York më herët këtë muaj, ku ai u përball me akuza të shumta, përfshirë shantazh dhe trafik seksual. Këto akuzat pasojnë disa vite polemikash dhe denoncimesh ndaj yllit të hip-hop-it, i cili është akuzuar për abuzime fizike dhe seksuale ndaj grave.
Jackson dhe Stapleton deklaruan se dokumentari do të paraqesë një “histori komplekse që përfshin dekada,” duke synuar të ofrojnë “perspektiva autentike dhe të nuancuara” për jetën dhe karrierën e Combs. Ata theksuan se, megjithëse akuzat janë të rëndësishme, historia e Sean Combs nuk përfaqëson tërësisht kulturën e hip-hop-it dhe ndikimin e tij.
Combs, nga ana e tij, ka mohuar akuzat, duke i quajtur ato një “rrëmbim parash.” Avokati i tij ka deklaruar se, ndonëse Combs nuk është një person i përsosur, ai nuk është kriminel.
Rivaliteti mes 50 Cent dhe P Diddy ka qenë i njohur për vite me radhë, dhe 50 Cent ka qenë kritik i hapur i Combs, veçanërisht pas ngritjes së akuzave për abuzim seksual. Ai kishte shpallur që më parë planet për realizimin e dokumentarit në rrjetet sociale.
Arrestimi i Combs erdhi pas disa akuzave që datojnë rreth një vit, duke përfshirë dhe një bastisje të Departamentit të Sigurisë Kombëtare në rezidencën e tij. Ai akuzohet se ka krijuar një sipërmarrje kriminale që përfshin shantazhimin dhe detyrimin e grave për të përmbushur dëshirat e tij.
Mes akuzave të tjera, Combs dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për trafik seksual, shpërndarje droge, zjarrvënie dhe rrëmbim, me shumë prej këtyre veprimeve që dyshohet se janë kryer në festa të paligjshme seksuale.
50 Cent, në një intervistë të mëparshme, e kishte theksuar se ishte “i vetmi që fliste për këto çështje” përpara se ato të bëheshin të njohura në media. Ai shprehu besimin se publiku tani e sheh të vërtetën pas këtyre akuzave.
Top Channel