“Testamenti” në Teatrin e Durrësit, flet Zhusti: Shfaqje me përgjegjësi të madhe, një tjetër test për veprën

27/09/2024 20:05

Sezoni i ri në Teatrin Kombëtar risolli në skenë një nga veprat më të suksesshme të këtij viti.

Testamenti, me autor dhe regjisor Leka Bungon dhe protagonist Viktor Zhustin, u mirëprit me po të njëjtin entuziazëm nga publiku që ndoqi me kërshëri aktrimin brilant të Zhustit dhe satirën ngacmuese të Bungos.

Personazhi i komedisë së zezë, komunisti Kuqo, le një testament dhe rrëfen kohën që prej fillimit të krijimit të partisë komuniste e deri në vitin 1992.

“Ka kaluar të gjithë historinë e Shqipërisë, që nga themelimi i Partisë Komuniste në 8 nëntor 1941, madje ai thotë kam lindur në nëntor 1941, sepse le Partinë e Punës nis historia e Shqipërisë. Në të vërtetë gjërat nuk janë tamam ashtu dhe nuk janë si thuhej dikur dhe as si shkruhen sot”, u shpreh Zhusti.

Vepra është dhe një testament artistik i vetë regjisorit Leka Bungo, i cili përcjell këndvështrimin e tij për ngjarje politike dhe për shoqërinë shqiptare. Kjo vepër u flet të gjithëve, teksa kalojnë në “skaner” destabilitetin politik dhe moral të shoqërisë shqiptare për më shumë se gjysmë shekulli.

Njerëzit jo vetëm shikojnë veten e tyre, jo vetëm shikojnë zhvillimet shoqërore, jo vetëm shikojnë atë që është thënë, flitet, dënohet dhe akoma nuk është dënuar, por edhe atë që kjo kohë përveç ndryshimeve shoqërore, ka akoma shumë për t’u transformuar. Janë njerëz që vijnë nga ajo epokë, por e mbartin me vete psikologjinë. Është e vështirë të trokasin e të hapin dyert e së resë”, tha më tej autori.

Këtë fundjava, Testamenti do të zhvendoset në teatrin Aleksandër Moisiu, një shfaqje që vetë aktori e konsideron një tjetër test për shkak se spektatori i Durrësit është pretendues, më pas në Vlorë dhe në 6 tetor vepra do të mirëpritet nga publiku i Gjirokastrës, kur Viktor Zhusti rikthehet pas 60 vitesh aty ku nisi karrierën artistike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA