Në një fshat të vogël e të largët në qytetin e Peshkopisë, jetonte Dorina bashkë me prindërit, 2 motrat dhe vëllanë Eduardin.
Shtëpia e tyre ishte një shtëpi e thjeshtë dhe pa shumë luks, por e qeshura dhe dashuria mbushnin boshllëqet financiare që prindërit nuk mund të plotësonin.
Babai merrej me punët e fshatit, bujqësi dhe blegtori. Në këtë mënyrë siguronte të ardhurat e nevojshme për të jetuar. Dorina dhe Eduardi kanë qenë shumë të lidhur me të. Ai e mbante Eduardin me vete kudo që shkonte, sepse ishte djali i vetëm i shtëpisë dhe i pëlqente të ndante me të çdo gjë.
Shkonin bashkë në mal për të kullotur bagëtinë, ose për të mbledhur bimë medicinale, e merrte në treg kur donte të shiste prodhimet e bulmetit ose kur duhet të kujdeseshin për arat. Ndërsa Dorina nuk e shoqëronte dot sepse ishte e vogël, por kur ai dilte ajo rrinte te dera e priste derisa të kthehej. Sapo e shihte në fund të rrugës duke ardhur, vraponte drejt e te ai për ta përqafuar.
Motra e vogël ka pasur një problem shëndetësor, por ata nuk kanë pasur kurrë mundësi që t’i bëjnë kontrollin e nevojshëm mjekësor, prandaj për fat të keq sot ajo nuk është si gjithë fëmijët e tjerë. Flet shumë pak, nuk arrin të kuptojë mirë dhe nuk mund të kujdeset për veten.
Motra e madhe u martua e re dhe u shpërngul në një qytet tjetër. Dorina përpiqej sa kishte mundësi të ndihmonte mamanë të kujdesej për motrën e vogël. Ajo ishte ende fëmijë dhe nuk kuptonte mirë se sa e vështirë mund të bëhej jeta, por në atë botën e saj të vogël çdo gjë ishte perfekte.
Sa herë që dukej sikur gjërat përmirësoheshin, gjithmonë ndodhte diçka që familjen e rrëzonte përsëri. Pothuajse 5 vite më parë, kur Dorina ishte 13 vjeç, babai sëmuret.
Ai ankohej shpesh herë për dhimbje koke dhe ndihej gjithnjë e më i dobët, por mendonin se ishte diçka kalimtare. Duke qenë në këto rrethana, Eduardi ishte ai që mori përsipër përgjegjësitë e shtëpisë. Ishte pothuajse 19 vjeç dhe zgjohej çdo mëngjes herët të milte bagëtitë, nxirrte kalin në fushë, shkonte në shkollë dhe rruga nga shtëpia e tij deri në shkollë ishte 1 orë.
Sapo mbaronte mësimin kthehej në shtëpi me vrap hante diçka të shpejtë dhe shkonte në mal të priste dru, në darkë duhet të ushqente përsëri bagëtinë e për ca kohë kjo u kthye në rutinën e tij. Gjendja shëndetësore e të atit vetëm përkeqësohej dhe shpesh herë e dërgonin në spital sepse humbiste ndjenjat. Kështu nisën edhe problemet e para ekonomike.
Një prej ditëve kur babai u sëmur keq, Dorina ishte në shkollë ndërsa Eduardi kishte shkuar në mal për të mbledhur bimë mjekësore. Dorina kujton se një i afërm kishte shkuar ta merrte nga shkolla me pretekstin që mamaja kishte nevojë për ndihmë në shtëpi, por ajo menjëherë e kishte kuptuar që babai nuk jetonte më. E kishin dërguar në spital dhe i kishin dhënë ndihmën e parë, por këtë herë ai nuk i hapi më sytë. Dorina nuk mundi të ishte në çastet e tij të fundit aty afër për t’i kapur dorën dhe për t’i dhënë edhe një përqafim…
Nga ai moment çdo gjë ndryshoi.
Shtëpia që njëherë e një kohë ishte e mbushur me gëzim, tani qëndronte në heshtje. Dorina rrinte te dera me orë të tëra, por babai nuk shfaqej më në fund të rrugës. Ndërsa Eduardi nuk kishte kohë as të mbante zi. Si djali i vetëm i shtëpisë ndjente se duhet të zgjidhte çdo gjë dhe mendonte se nuk duhet të qante sepse ashtu tregonte dobësi. Nuk e pranonte dot të dilte i dobët para motrave dhe mamit, sidomos tani që ato kishin nevojë për shumë mbështetje.
Duke qenë se çdo gjë po shkonte gjithnjë e më keq, Eduardi detyrohet të shesë të gjitha bagëtitë e çdo gjë që kishin në fshat dhe u zhvendosën në Tiranë.
Ata kanë 4 vite këtu, gjatë kësaj periudhe Eduardi është përpjekur disa herë të shkojë në Greqi si emigrant, punonte atje punë të rënda fizike dhe dërgonte në shtëpi ato pak lekë që fitonte. Në fshat kishte akoma lekë të cilat nuk i kishte shlyer që nga sëmundja e babit dhe punonte më shumë se 10 orë çdo ditë për të përballuar jetesën, por edhe për të paguar borxhet. Mamaja e tij u sëmur dhe u detyruan ta operonin për një problem në zemër. Pas operacionit të mamit Eduardi u kthye në shtëpi sepse nuk kishte mundësi asnjë tjetër që të kujdesej për të. Motra e madhe u shpërngul në Itali për të punuar sepse pagesat këtu nuk mjaftonin, Dorina ishte akoma në shkollë dhe shumë e vogël për të nisur një punë ndërsa motra e vogël nuk mund të punonte.
E gjithë jeta e tyre varej nga Eduardi. Ai ka bërë gjatë gjithë kohës 2 ose 3 punë për të përballuar të gjitha shpenzimet që vetëm shtoheshin, por përsëri nuk ia dilte dot. Nuk kishte rëndësi se sa shumë po punonte, lekët nuk mjaftonin kurrë. Duhet të paguanin qeranë e shtëpisë këtu në Tiranë, operacionin e mamit, ilaçet që ajo merrte për zemrën por edhe për diabetin dhe pa e kuptuar nga një borxh shkonin në një tjetër deri sa nuk kishte më asnjë mundësi për ta paguar.
Eduardi ka qenë gjithmonë një djalë i urtë, i thjeshtë, punëtor dhe i dashur me të gjithë, por pak nga pak gëzimi në sytë dhe zemrën e tij po zbehej. Po humbiste çdo gjë nga jeta e tij, nuk dilte asnjëherë, nuk kishte miq, nuk guxonte të ankohej sepse nuk donte t’i shtonte shqetësimin mamasë dhe motrave. Po sakrifikonte çdo gjë për to sepse e dinte që dëshira e të atit ka qenë që ai të kujdesej për familjen.
Dorina përfundoi shkollën e mesme dhe ka nisur një punë për t’i ardhur sadopak në ndihmë vëllait, ndërsa Miranda, motra që jeton në Itali, i ka ndihmuar aq sa ka pasur mundësi, edhe pse as gjendja e saj ekonomike nuk është e mirë sepse ka një djalë 7 vjeçar për të cilin duhet të kujdeset.
Dorina na ka treguar se ditë pas dite shpresa në sytë e vëllait po shuhet dhe ajo ka merak se mos edhe ai sëmuret ose i ndodh gjë. Ai ka mbajtur mbi shpatulla peshën e të kujdesurit për të gjithë familjen i vetëm, por tani Dorina u rrit dhe ajo do e ndihmojë aq sa të mundet.
Të vetëm ata nuk mund t’ja dalin, por nëse dikush u jep dorën për t’i ngritur nga errësira ku janë zhytur, nëse dikush u jep një shans që t’ja nisin edhe njëherë nga fillimi, çdo gjë do të ndryshojë. Vetëm kaq kërkojnë, një mundësi të re për t’ja nisur edhe njëherë nga fillimi.
PayPal: https://www.paypal.com/donate/?hosted_button_id=5CK3LSDNMU3QY
[email protected]
Te dhenat e bankes per Europen
ITALI 🇮🇹
Emri: Fondazione FIRDEUS
Emri i Bankes: INTESA SANPAOLO
Adresa: Piazza Paolo Ferrari, 10 20121 Milano
Iban: 𝐈𝐓 07 𝐈030 6909 6061 0000 0401 789
BIC/ Swift: BCITITMM
Te dhenat bankare ne Zvicër 🇨🇭
Name: Firdeus
Emri i Bankes: Post Finance
Adresse: Untere Scheugstr 3 8707 Uetikon am See
Konto Nr.: 15-387081-5
IBAN: CH94 0900 0000 1538 7081 5
BIC: POFICHBEXXX
Konto ne Kosove 🇽🇰
Fondacioni Shqiptarët për Shqiptarët Kosovë
IBAN XK05 1905001222031128
Banka Kombetare Tregetare – Kosova
Fushë Kosovë
Swift Code: NCBAXKPR
Të dhënat bankare në Shqiperi 🇦🇱
Fondacioni Firdeus, Credins Bank,
Adresa e bankes: Rr Vaso Pasha, nr 8, Tirana, Albania.
SWIFT CODE CDISALTR
IBAN EURO:AL76 2121 1573 0000 0000 0088 3481
IBAN USD: AL33 2121 1573 0000 0000 0088 3479
Top Channel