Gara për drejtorin e policisë/ Zhvillohet sot vlerësimi me pikë për secilin nga 11 kandidatët në garë

26/09/2024 15:30

Kjo e enjte dhe dita pasuese pritet te jenë emocionuese për 11 kandidatët për drejtor të përgjithshëm të policisë së shtetit. 

Brenda këtyre 48 orëve komisioni i ngritur posaçërisht për këtë konkurrim do të vlerësojë me pikë secilin kandidat për platformën e prezantuar, aftësitë drejtuese dhe menaxheriale si edhe për aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës.

Të avantazhuar do të jenë kandidatët që kanë kurse dhe trajnime të ndryshme dhe në rast barazie me pikët e grumbulluara do të listohet më lartë kandidati me më shumë vite shërbimi brenda radhëve të uniformave bli.

Lista emërore me 11 emra dhe pikët përkatëse për secilin do të jetë në tavolinën e ministrit të brendshëm Ervin Hoxha të premten.

Një prej emrave të vlerësuar më shumë  bashkëngjitur me një relacion që tregon pikët e mara për secilën fazë do të dorëzohet të hënën në kryeministri nga ku do të artikulohet emri i drejtuesit të ri të policisë së shtetit.

Mes aplikimeve janë tre drejtues departamenti, Pëllumb Seferi aktualisht drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Neritan Nallbati drejtues I departamentit për krimet dhe Rebani Jaupi drejtues i departamentit të rendit.

Nga drejtoria e përgjithshme kanë aplikuar dhe Lytfi Minxhozi dhe Idajet Faskaj përkatësisht drejtor të Europolit dhe Interpolit. Në garë është edhe Skënder Hita drejtor I policisë Durrës, Ardian Çipa drejtor i policisë Gjirokastër, Ilir Proda drejtor i policisë Elbasan dhe zv. drejtorit për rendin në policinë Lezhë  Altin Mena. Nga Akademia e Policisë janë në garë  Adriatik Tafçiu, Gentian Shehaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA