Sulmi i Hezbollahut në Tel Aviv, SHBA: Izraeli po përballet me kërcënim nga një grup terrorist që mbështetet nga Irani

25/09/2024 15:02

Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga raportimet se Hezbollahu – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni – ka gjuajtur një raketë që kishte për shënjestër shërbimin e inteligjencës të Izraelit.

Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-ja ende beson se një zgjidhje diplomatike mund të ulë tensionet në kufirin Liban-Izrael.

“Shumë shqetësuese”, tha Kirby në një intervistë për CNN. “Provë tjetër… se Izraeli po përballet me kërcënim legjitim nga një grup terrorist që mbështetet nga Irani”.

Kirby tha se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten.

“Asnjë komb nuk duhet të jetojë nën kërcënime të tilla që vijnë përtej kufirit, nga fqinjët”, tha ai.

Mëngjesin e 25 shtatorit, Hezbollahu gjuajti një raketë balistike drejt Tel Avivit, duke përshkallëzuar edhe më tej situatën. Një ditë më herët, ushtria izraelite bombardoi Libanin, teksa ditëve të fundit si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë qindra persona në Liban.

Ushtria izraelite tha se e rrëzoi një raketë balistike tokë-tokë dhe aktivizoi sirenat për sulme ajrore në Tel Aviv, duke mos raportuar për viktima apo dëme.

Hezbollahu tha se e gjuajti raketën balistike të llojit, Qader 1, drejt selisë qendrore të agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad.

Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr përditë që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. /rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA