Sa zyrtarë të lartë hetoi SPAK në tre vite?/ Publikohet raporti, në listë kryesojnë ish-gjyqtarët, ish-prokurorët dhe ish-kryebashkiakët

25/09/2024 22:32

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes prezantoi sot gjetjet e studimit të saj të ri mbi punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në dokument theksohet se në vitin 2023, vepra penale më e përhapur në fushën e korrupsionit ishte korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, me 25 raste të regjistruara.

Shpërdorimi me detyrën renditej si vepra e dytë më e zakonshme e korrupsionit, me 13 raste. Po ashtu, të dhënat tregojnë se korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, që përfshin ofrimin e ryshfeteve ose përfitimeve të tjera të parregullta për zyrtarët publikë, regjistroi 9 raste gjatë vitit 2023.

Ndërsa në vitin 2023, sipas raportit, vepra penale e kërkimit, marrjes ose pranimit të përfitimeve të parregullta përbënte një nga veprat kryesore penale, me 7 raste të regjistruara. Ndër veprat penale më të rralla të korrupsionit gjatë këtij viti ishin korrupsioni aktiv i dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit, me vetëm një rast, dhe korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë të drejtësisë, me 2 raste të regjistruara.

Që nga fillimi i reformës në drejtësi në Shqipëri, një numër i konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh janë shkarkuar nga detyra. Në procesin e vetingut, një total prej 144, 108 të tjerë u shkarkuan.

“Ky numër i lartë shkarkimesh në kuadër të procesit të vetingut nxjerr në pah shkallën e korrupsionit të përhapur brenda sistemit gjyqësor shqiptar”, thekson raporti.

Analiza e rasteve të korrupsionit të regjistruara në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë gjatë periudhës 2020-2023 tregon vazhdimësinë e problemeve sistemike të korrupsionit, veçanërisht brenda sektorit publik dhe sistemit gjyqësor. Gjatë kësaj periudhe, korrupsioni pasiv nga zyrtarët publikë ka qenë vepra penale më e ndjekur, duke regjistruar numrin më të lartë të rasteve.

Në të kundërt, korrupsioni aktiv nga dëshmitarët, ekspertët apo përkthyesit ka qenë vepra më rrallë e hasur, me numrin më të ulët të rasteve të regjistruara. Një nga gjetjet kryesore të kësaj analize është rritja e ndjeshme e rasteve të korrupsionit aktiv të zyrtarëve publikë në vitin 2022.

“Megjithëse më të rralla, rastet që përfshijnë premtimin, propozimin ose ofertën e përfitimeve të parregullta arritën numrin më të lartë në vitin 2020. Gjithashtu, rastet që përfshijnë kërkimin, marrjen ose pranimin e përfitimeve të parregullta kulmuan në vitin 2021, duke konfirmuar se abuzimi me detyrën vazhdon të jetë një problem i vazhdueshëm. Rastet e mosdeklarimit, fshehjes apo deklarimit të rremë të pasurisë treguan një prani të dukshme në vitet 2020 dhe 2021, me një rënie në vitet e mëvonshme.

Ndërkohë, rastet që lidhen me shkeljen e barazisë në ofertat dhe tenderët publikë kanë treguar luhatje të ndjeshme, duke arritur kulmin në vitin 2021. Korrupsioni pasiv nga zyrtarët publikë mbeti veçanërisht i lartë në vitet 2020 dhe 2021.

Në të kundërt, korrupsioni aktiv nga dëshmitarët, ekspertët apo përkthyesit vazhdoi të ketë numrin më të ulët të rasteve të regjistruara, duke sugjeruar një përhapje të kufizuar ose një raportim më të pakët të këtij fenomeni.

Gjithashtu, të dhënat tregojnë raste sporadike të korrupsionit aktiv nga gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e tjerë të drejtësisë, me një rritje të dukshme në vitin 2021, e ndjekur nga një rënie në vitet pasuese. Korrupsioni pasiv i këtyre zyrtarëve gjithashtu shënoi një rritje të konsiderueshme në vitin 2021.

Po ashtu, korrupsioni i lidhur me procesin zgjedhor arriti kulmin në vitin 2021, duke reflektuar sfidat e hasura gjatë procesit zgjedhor”, sipas raportit.

Ndjekja penale e korrupsionit të nivelit të lartë: Hetimet, proceset gjyqësore dhe dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë në Shqipëri (2020-2023) Ndërmjet viteve 2020 dhe 2023, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ndërmori 32 hetime penale të cilat përfshinin 43 individë, me fokus të veçantë tek ish-zyrtarët e lartë. Gjatë kësaj periudhe, SPAK arriti të dërgojë në gjyq 32 nga këta zyrtarë, duke rezultuar në dënimin e 20 prej tyre nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.

“Këto të dhëna tregojnë një përpjekje të koordinuar për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit. Megjithatë, analiza e detajuar e këtyre të dhënave zbulon boshllëqe të diskutueshme në trajtimin efektiv të korrupsionit në hierarkitë më të larta të qeverisjes. Megjithëse pse përpjekjet janë intensifikuar, ekziston një hendek i qartë midis numrit të përgjithshëm të rasteve të korrupsionit të ndjekura penalisht dhe atyre që përfshijnë zyrtarë të lartë.

Përkundër rritjes së numrit të rasteve të korrupsionit që janë çuar përpara drejtësisë, përqindja e zyrtarëve të lartë të hetuar, gjykuar dhe dënuar mbetet në mënyrë disproporcionale e ulët. Ky fakt sugjeron se, ndonëse përpjekjet për të luftuar korrupsionin po japin rezultate, individët me pushtet të lartë dhe ndikim të konsiderueshëm nuk po mbahen plotësisht përgjegjës për veprimet e tyre. Grafiku e bën këtë pabarazi të dukshme: nga gjithsej 1533 procedura për korrupsion të nisura, vetëm 32 përfshinin zyrtarë të lartë, që përbën vetëm 2.9% të totalit.

Ky numër tregon se vetëm një pjesë shumë e vogël e rasteve të korrupsionit përfshijnë individë në pozita të rëndësishme, pavarësisht faktit që korrupsioni në këto nivele mund të ketë ndikim të thellë mbi besimin e publikut dhe integritetin e institucioneve shtetërore. Kur analizojmë numrin e individëve të hetuar për korrupsion, kjo disbalancë bëhet edhe më e dukshme. Nga gjithsej 1008 të pandehur për vepra korrupsioni, vetëm 43 përfshijnë zyrtarë të lartë, që përbën 4.25% të totalit.

Duke marrë parasysh ndikimin dhe burimet që këta individë zotërojnë, kjo përqindje tepër e ulët e hetimeve të kryera ndaj tyre është shqetësuese. Këto të dhëna tregojnë se ekziston një hendek i madh në përpjekjet për të ndjekur penalisht ata që kanë më shumë mundësi të përfitojnë nga korrupsioni në nivelet më të larta të pushtetit.

Procesi gjyqësor për zyrtarët e lartë përballet me sfida shtesë, siç tregohet nga statistikat e ndjekjes penale. Nga gjithsej 586 të pandehur të dërguar për gjykim në raste korrupsioni, vetëm 32 ishin zyrtarë të lartë, që përbën 5.46% të totalit. Ky numër nënvizon vështirësitë e vazhdueshme në sjelljen e zyrtarëve me pushtet para drejtësisë. Edhe tek dënimet ka sfida të rëndësishme. Nga gjithsej 479 dënime për korrupsion, vetëm 20 prej tyre përfshinin zyrtarë të lartë, që përbën 4.17% të totalit”, theksohet në raport.

Ndonëse ka një përpjekje për të sjellë para drejtësisë individët në pozita të larta, sipas raportit për SPAK-un, numri i dënimeve të dhëna ndaj tyre mbetet dukshëm i ulët, duke lënë kështu të kuptohet se sfidat në adresimin e korrupsionit në nivelet e larta mbeten ende të mëdha.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA