“Rusia ka një projekt sekret për të …”, burimet evropiane të zbulimit: Prodhimi i dronëve sulmues që mund të transportojnë mjete deri 400 kg

25/09/2024 21:41

Kompania ‘IEMZ Kupol’, degë e kompanisë shtetërore ruse për prodhimin e armëve ‘Almaz-Antey’, ka zhvilluar dhe testuar në Kinë një model ri të droni, të quajtur ‘Garpiya-3 (G3), me ndihmën e specialistëve vendas, sipas njërit prej dokumenteve, një raport i kompanisë ‘Kupol’, dërguar ministrisë ruse të Mbrojtjes në fillim të këtij viti, që pasqyron punën e saj.

Në një dokument tjetër, me të dhëna të përditësuara, që kompania ‘Kupol’ ia dërgoi ministrisë së mbrojtjes më pas, e njofton atë se ka arritur t’i prodhojë dronët, përfshirë modelin ‘G3’ në një fabrikë në Kinë në mënyrë që armët të vihen në veprim në “operacionin e posaçëm ushtarak” në Ukrainë, terminologjia me të cilën Moska i referohet luftës në Ukrainë.

Kompanitë ‘Kupol’, ‘Almaz-Antey’ dhe ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigjën kërkesës së agjencisë Reuters për koment. Ministria e jashtme e Kinës i tha agjencisë Reuters, se nuk është në dijeni të një projekti të tillë, duke shtuar se shteti ka masa të forta kontrolli ndaj eksportit të dronëve dhe mjeteve të tjera ajrore që drejtohen nga distanca.

Në një nga fabrikat e kompanisë ushtarake ruse Almaz-Antey gjatë prodhimit të sistemeve të avancuara të radarëve (rajoni Tula, Rusi)

Në një nga fabrikat e kompanisë ushtarake ruse Almaz-Antey gjatë prodhimit të sistemeve të avancuara të radarëve (rajoni Tula, Rusi)

Analisti Fabian Hinz nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një organizatë analizash për çështjet e mbrojtjes me seli në Londër, tha se dërgesa e mjeteve të tilla ajrore nga Kina në Rusi, nëse konfirmohet, do të përbënte një zhvillim të rëndësishëm.

“Ajo që dihet është se Kina ka dërguar në Rusi kryesisht artikuj që kanë një natyrë të dyfishtë përdorimi – pjesë përbërëse, apo ndihmëse, që mund të përdorën në sisteme armësh”, deklaroi ai. “Kjo është raportuar deri tani. Por ajo që nuk kemi parë, të paktën nga burimet publike, janë dërgesat e dokumentuara të sistemeve të tëra armësh.

Sipas analistit të Qendrës për Sigurinë e re Amerikane, Samuel Bendett, një institut analizash me seli në Uashington, Pekini nuk dëshiron të rrezikojë të përballet me sanksione ndërkombëtare për t’i ndihmuar makinerisë ruse të luftës. Ai thotë se duhet më shumë informacion për të përcaktuar nëse Kina po luan rolin e vendit ku prodhohen dronët ushtarakë rusë.

Këshilli për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë tha se është thellësisht i shqetësuar nga njoftimet e agjencisë Reuters mbi programin e dronëve, që sipas tij duket të jetë një rast ku një kompani kineze po i ofron ndihmë ushtarake një kompanie ruse ndaj të cilës janë vendosur sanksione amerikane.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dëshmi që sugjerojnë që qeveria kineze kishte njohuri për këto transaksione, por Kina ka përgjegjësi të sigurohet se kompanitë kineze nuk po i japin ndihmë me armë Rusisë për përdorim nga ushtria e saj, shtoi zëdhënësi.

Droni i modelit ‘G3’ mund të udhëtojë rreth 2,000 kilometra me një ngarkesë prej 50 kilogramësh, sipas raporteve që kompania ‘Kupol’ i ka dërguar ministrisë ruse të mbrojtjes. Kjo kompani është vënë nën sanksione amerikane në dhjetor të vitit 2023. Shembuj të dronit ‘G3’ dhe disa modele të dronëve të tjerë që janë prodhuar në Kinë, i janë dërguar kompanisë ‘Kupol’ në Rusi për testim të mëtejshëm, sërish me përfshirjen e ekspertëve kinezë, sipas dokumenteve.

Dokumentet nuk identifikojnë specialistët kinezë të dronëve të angazhuar në këtë projekt dhe agjencia Reuters nuk ka arritur të përcaktojë identitetin e tyre.

Në filmimet e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë shfaqet një dron ushtarak duke hedhur predha mbi rajonin ukrainas Donetsk (24 shtator 2024)

Në filmimet e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë shfaqet një dron ushtarak duke hedhur predha mbi rajonin ukrainas Donetsk (24 shtator 2024)

Kompania “Kupol’ ka marrë një dërgesë prej shtatë dronësh ushtarakë të prodhuar në Kinë, përfshirë dy të modelit ‘G3’, në selinë e saj në qytetit rus Izhevsk, sipas dy dokumenteve të ndryshme të shqyrtuara nga agjencia Reuters, që janë fatura që një kompani ruse ia dërgoi gjatë verës kompanisë “Kupol”. Sipas dy burimeve evropiane të zbulimit, kjo kompani ruse shërben si ndërmjetëse me kompanitë kineze. Faturat, njëra prej të cilave kërkon kryerjen e pagesës në monedhën kineze, nuk i kanë datat se kur është bërë dërgesa dhe nuk i identifikojnë kompanitë në Kinë.

Dy burimet e zbulimit thanë se dërgesa e modeleve të dronëve kompanisë ‘Kupol’ është prova e parë konkrete që agjencia e tyre ka gjetur për dronë të prodhuar në Kinë që janë dërguar në Rusi që kur filloi lufta në Ukrainë në vitit 2022.

Burimet kërkuan që as ata dhe as organizata e tyre të mos identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së informacionit. Ata po ashtu kërkuan që detaje të caktuara që lidhen me dokumentet të mos publikohen, përfshirë datat e sakta të tyre.

“Standarde të dyfishta rreth shitjes së armëve”

Burimet i treguan agjencisë Reuters gjithsej pesë dokumente, përfshirë dy raporte që kompania ‘Kupol’ ia dërgoi ministrisë në pjesën e parë të vitit dhe dy fatura, për të mbështetur pretendimet e tyre se ekziston një projekt rus në Kinë për prodhimin e dronëve për përdorim në Ukrainë. Kjo është hera e parë që po njoftohet për një program të tillë.

Raportet e kompanisë ‘Kupol’ dërguar ministrisë së mbrojtjes nuk japin detaje për vendet që lidhen me projektin. Agjencia Reuters po ashtu nuk arriti të konfirmojë nëse ministria e mbrojtjes i kishte dhënë kësaj kompanie lejen për të vazhduar me prodhimin serial të dronëve siç ishte propozuar.

Pekini vazhdimisht i ka mohuar pretendimet se Kina apo kompanitë kineze po furnizojnë Rusinë me armë për përdorim në Ukrainë, duke thënë se vendi mbetet neutral. Në përgjigje ndaj pyetjes për këtë shkrim, ministria e jashtme i tha agjencisë Reuters se qëndrimi i Kinës paraqet një kontrast me atë të shteteve të tjera që kanë “standarde të dyfishta rreth shitjes së armëve”, të cilat, sipas saj, “po i hedhin benzinë zjarrit të krizës ukrainase”.

Në fillim të këtij muaji, ministria tha se nuk ka kufizime ndërkombëtare sa i përket tregtisë së Kinës me Rusinë duke iu përgjigjur shkrimit të agjencisë Reuters se kompania ‘Kupol’ ka filluar prodhimin e dronit ushtarak me rreze të gjatë veprimi ‘Garpiya-A1’ në Rusi, duke përdorur motorë dhe pjesë kineze.

Modeli i një droni të armatosur kinez i paraqitur gjatë një panairi në Emiratet e Bashkuara Arabe

Dokumentet e reja, të përfshira në këtë raport, duket se tregojnë se kompania shtetërore ‘Kupol’ ka shkuar një hap më tutje duke blerë dronë në gjendje të përfunduar nga Kina.

Rusia dhe Ukraina po nxitojnë që ta rrisin prodhimin e tyre të dronëve, të cilët janë bërë armë me efikasitet të lartë në luftë.

Ish inspektori i OKB-së për armët, David Albright, i cili drejton grupin hulumtues në Institutin për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare dhe që ka gjurmuar bashkëpunimin kinez dhe rus në prodhimin e dronëve, i tha agjencisë Reuters se kompania ‘Kupol’ mund t’iu shmanget sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë duke themeluar një fabrikë në Kinë, ku mund të sigurojë qasje në mikroprocesorët e avancuar.

Por zoti Bendett thotë se Pekini ka arsye të tregohet i kujdesshëm: “Që një fabrikë të ekzistojë zyrtarisht, duke prodhuar dronë për rusët, e ekspozon Kinën ndaj disa prej pasojave më të rënda të sanksioneve, andaj nuk është e qartë shkalla deri ku Kina do të ishte e gatshme ta ekspozonte veten.”

Qeveria ukrainase nuk u përgjigj një kërkesës për të komentuar rreth këtyre zhvillime.

E ngjashme me dronin amerikan “Reaper”?

Droni G3 është një version i përditësuar i dronit Garpiya-A1, sipas raporteve që kompania ‘Kupol’ i ka dërguar ministrisë së mbrojtjes. Ajo është rimodeluar nga ekspertët kinezë të cilët kanë marrë për bazë modelin Garpiya-A1, thanë burimet.

‘Kupol’ thotë se brenda tetë muajsh, në Kinë mund të prodhohej një dron sulmues kinez REM1, i aftë të transportonte një peshë prej 400 kilogramësh. Dy burimet evropiane të zbulimit thanë së sistemi do të ishte i ngjashëm me dronin amerikan ‘Reaper’.

Droni i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, i tipit MQ-9 Reaper

Sipas burimeve një firmë tjetër ruse e sektorit të mbrojtjes, e quajtur ‘TSK Vektor” po lunate rolin e ndërmjetësit ndërmjet kompanisë ‘Kupol’ dhe furnizuesve kinezë të përfshirë në këtë projekt. Ata thanë së kompanitë ruse bashkëpunuan me kompaninë kineze, të quajtur “Redlepus TSK Vector Industrial”, me seli në Shenzhen, pa dhënë më shumë detaje për rolin e kompanisë “Redlepus”.

Asnjëra prej këtyre dy kompanive nuk iu përgjigjen kërkesave për të komentuar.

Një dokument tjetër, i shqyrtuar nga agjencia Reuters, zbuloi plane që përfshijnë kompanitë ‘Kupol’, ‘TSK Vektor’ dhe ‘Redlepus’ për të themeluar një qendër të përbashkët ruso-kineze për hulumtim dhe prodhim në zonën e posaçme ekonomike Kashgar, në krahinën Xinjiang të Kinës.

Agjencia Reuters nuk arriti të përcaktojë autorë e dokumentit, i cili mbante mbishkrimet e tre kompanive dhe as ta identifikojë se kujt i është dërguar dokumenti. “Baza për Hulumtimin dhe Prodhimin e Dronëve të Avancuar”, e shtrirë në një hapësirë prej 80 hektarësh, do të prodhonte 800 dronë në vit, sipas dokumentit. Dokumenti nuk përmbante një afat se kur do të fillonte punën një bazë e tillë.

Javën e kaluar, Presidenti rus Vladimir Putin tha se ushtria e tij ishte pajisur me rreth 140,000 dronë në vitin 2023 dhe se Moska planifikon ta rris këtë numër dhjetëfish gjatë këtij viti.

“Kushdo që reagon më shpejt ndaj kërkesave të fushëbetejës, ai fiton”, deklaroi ai gjatë një takimi mbi prodhimin e dronëve në Shën Petersburg./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA