Teksa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përgatitet t`i paraqesë kreut të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden planin e fitores së vendit të tij, Kievi i Ukrainës po kërkon nga lideri amerikan nj shfaqje të fortë mbështetjeje përpara largimit të tij nga posti.
Një zyrtar i lartë ukrainas i tha BBC-së se ata duan që Bideni “të shkruajë historinë” në muajt e tij të fundit në detyrë. Detajet mbi planin në fjalë janë mbajtur të fshehta, por strategjia ka të ngjarë të përmbajë lutjet për mbështetje të mëtejshme ushtarake dhe financiare, plus garancitë e ardhshme të sigurisë. Zelensky thotë se propozimi është krijuar për të qenë në fakt një “urë” drejt ndalimit të luftës, e cila sipas tij mund të përfundojë më shpejt nga sa mendohet gjerësisht.
Nëse Perëndimi forcon pozicionin e Ukrainës, argumenton ai, atëherë Vladimir Putin mund të detyrohet të lëvizë drejt një paqeje diplomatike. “Kjo luftë nuk qetësohet vetëm me bisedime. Duhet veprim,” i tha Zelensky Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Putin ka shkelur kaq shumë parime ndërkombëtare, e kaq shumë rregulla sa zor se e ndalon hovin vetë. Rusia duhet detyruar të shkojë drejt paqes, dhe kjo është pikërisht ajo që nevojitet tani: detyrimi i saj si agresprja e vetme në këtë luftë që të pranojë paqen”, tha ai.
Më herët u mësua se Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Ukrainës bomba thërrmuese me rreze të mesme veprimi, një sërë raketash, artileri dhe automjete të blinduara si pjesë e një pakete ndihme ushtarake prej rreth 375 milionë dollarësh.
Ndihma përfshin bomba ajër-tokë, të cilat kanë municione thërrmuese dhe mund të lëshohen nga avionët luftarakë të Ukrainës, si dhe municione për sistemet raketore HIMARS, Javelin dhe sisteme të tjera anti-tank, pajisje ushtarake dhe ndihma të tjera. Zelensky takohet të enjten Presidentin Joe Biden dhe Nënpresidenten Kamala Harris në Uashington.
Top Channel