Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës të mërkurën ka nisur gjykimi për rastin e Banjskës. Nën masa të rrepta sigurie, tre prej 45 të akuzuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit u sollën në sallën e gjyqit.
Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq të arrestuar një vit më parë janë të vetmit që mund të paraqiten në gjykimin e tyre, pasi 42 të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe Milan Radoiciqin janë në arrati. Prandaj, Gjykata mori vendim për të veçuar procedurën penale ndaj tyre.
Gjyqtari Arben Hoti thotë: “Veçohet procedura penale bazuar në nenin 35 të kodit të procedurës penale për shkaqe të arsyeshme për arsye të mosprolongimit të çështjes ndaj personave që janë në masën e paraburgimit”.
Për të akuzuarit tjerë, prokurori special Naim Abazi kërkoi që të nis gjykimi edhe ndaj tyre, në mungesë: “Meqë tani të pandehurit ngarkohen me vepra penale kryerja e veprave terroriste, në kuadër të kësaj vepre penale është paraparë edhe vepra e vrasjes së rëndë, e cila vepër penale sipas këtij kodi nuk parashkruhet, konsiderojmë se ky gjykim nuk mund të parashkruhet, konsiderojmë se ky gjykim mund të bëhet në mungesë”.
Megjithëkëtë, gjykata e shkallës së parë do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për sqarime për mundësinë e gjykimit në mungesë.
“Gjykata e shkallës së parë në lidhje me zbatimin e neneve për gjykimin në mungesë, konsideron se interpretimi gramatikor ose gjuhësor i këtyre dispozitave nuk është i mjaftueshëm dhe krijon paqartësi”, shton Hoti.
Sqarimi i këtyre çështjeve i la hapësirë nisjes së seancës fillestare ndaj tre të akuzuarve që ishin prezent në sallën e gjyqit, por edhe kjo seancë u shty për datën 9 tetor, pasi mbrojtja e të akuzuarve u ankua se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar shkresat e lëndës.
Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, duke përfshirë edhe ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiqin për sulmin terrorist të Banjskës. Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale të rënda kundër rendit kushtetues, terrorizmit, financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave.
Më 24 shtator të vitit 2023 policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zvecanit nga një grup terrorist, aty mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Top Channel