Shqipëria si një vend post-komunist mbart në vetevete shumë mister, sidomos për fuqinë e mbrojtjes.
Në këtë kontekst Inside Story, sjell ekskluzivisht, për herë të parë në publik një hartë që tregon për fortifikimin e Shqipërisë. Kjo hartë e miratuar nga komandanti i kohës Kiço Mustaqi, për shumë vite ka qenë sekret shtetëror. Ajo, tregon të vërtetën mbi mitet e ngritura për fortifikimin e kufijve. Një prej tyre, lidhet edhe me shtrirjen reale të bunkerëve sipas planit, dhe sipas atyre që ishin fakt në terren.
“Kjo është një hartë që është ideja e përgjithshme e fortifikimit të brezave të mbrojtjes për të gjithë Shqipërinë. Pra me këtë hartë do të garantohej pathyeshmëria miti I ushtrisë kombëtare shqiptare. në këtë periudhë ku plani ishte 221 145 qendra fortifikimi ku deri në 1983 ishin realizuar 173 371 qendra fortifikimi. Ku nuk kemi parasysh vetëm qendrat e zjarrit por kemi edhe kundra tanket dhe fortifikime te tjera. Pra ajo që është thënë deri më sot që Shqipëria kishte 600 mijë bunker, duke parë dokumentin na çon ekzakt tek shifrat që Shqipëria kishte ku nuk ishin më shumë se 180 mijë fortifikime. Mund të jetë hera e parë që një media publike vjen dhe troket për të parë diçka në dokument dhe për t’ja dhënë opinionit publik ashtu siç është në dokument dhe jo për të hamendësuar mbi fortifikimet shqiptare”, u shpreh Teki Kurti, Arkivi Qendror i FA.
Sot Shqipëria është larg atyre fortifikimeve por, kapacitetet reale mbrojtëse nuk mund të publikohen pasi përbëjnë sekret që lidhet me sigurinë kombëtare. Pikërisht, informacione të tilla synohen nga vende jo mike referuar edhe mjaft rasteve që janë ndaluar apo janë dëbuar shtetas të huaj që janë konstatuar duke fotografuar pranë bazave ushtarake. Një pjesë e madhe e tyre fatkeqësisht sot janë shkatërruar. Por, me zhvillimet teknologjike dhe reformimet e nisura pas viteve ’90-të, riaktivizimi i mjaft bazave nuk është parë i arsyeshëm. Në raste të caktuara, siç do të tregojmë më poshtë, mjaft nga këto asete u liruan për qëllime përfitimi korruptiv nga privatët.
“Në të kaluarën ka qenë mbulimi pëllëmbë për pëllëmbë i të gjithë territorit ndërsa në kushte e sotme me teknologjinë bëhet e mundur që të realizohet transporti i trupave tonë duke qenë të gatshëm në garnizone në çdo pjesë të Shqipërisë ku e kërkon nevoja për mbrojtjen e territorit të Shqipërisë”, u shpreh Aleksander Pando, Drejtor i Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Top Channel