Gjyqi për “Banjskën”/ Prishtinë, nis procesi për të akuzuarit e sulmit terrorist të një viti më parë

25/09/2024 20:12

Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës të mërkurën ka nisur gjykimi për rastin e Banjskës.

Nën masa të rrepta sigurie, tre prej 45 të akuzuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit u sollën në sallën e gjyqit.

Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq të arrestuar një vit më parë janë të vetmit që mund të paraqiten në gjykimin e tyre, pasi 42 të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe Milan Radoiciqin janë në arrati.

Prandaj, Gjykata mori vendim për të veçuar procedurën penale ndaj tyre.

“Veçohet procedura penale bazuar në nenin 35 të kodit të procedurës penale për shkaqe të arsyeshme për arsye të mosprolongimit të çështjes ndaj personave që janë në masën e paraburgimit”, tha Arben Hoti, gjyqtar i Gjykatës Themelore të Prishtinë.

Për të akuzuarit tjerë, prokurori special Naim Abazi kërkoi që të nis gjykimi edhe ndaj tyre, në mungesë.

“Meqë tani të pandehurit ngarkohen me vepra penale kryerja e veprave terroriste, në kuadër të kësaj vepre penale është paraparë edhe vepra e vrasjes së rëndë, e cila vepër penale sipas këtij kodi nuk parashkruhet, konsiderojmë se ky gjykim nuk mund të parashkruhet, konsiderojmë se ky gjykim mund të bëhet në mungesë”, tha Naim Abazi, Prokuror i Prokurorisë Speciale.

Megjithëkëtë, gjykata e shkallës së parë do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për sqarime për mundësinë e gjykimit në mungesë.

“Gjykata e shkallës së parë në lidhje me zbatimin e neneve për gjykimin në mungesë, konsideron se interpretimi gramatikor ose gjuhësor i këtyre dispozitave nuk është i mjaftueshëm dhe krijon paqartësi”, tha Hoti.

Sqarimi i këtyre çështjeve i la hapësirë nisjes së seancës fillestare ndaj tre të akuzuarve që ishin prezent në sallën e gjyqit, por edhe kjo seancë u shty për datën 9 tetor, pasi mbrojtja e të akuzuarve u ankua se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar shkresat e lëndës.

“Ne i kemi pranuar por edhe më tutje kemi kërkesë ndaj prokurorisë që të na i dorëzojë shkresat e lëndës në formë fizike”, tha Ljubimir Pantoviq, Avokat i Blegoje Spasojeviq

“Ne i kemi pranuar shkresat në mënyrë elektronike, disa dosje nuk kam mundur t’i hapë, kështu që e kemi të domosdoshme që shkresat në kopje fizike që të mund të përgatitemi për mbrojtje”, tha Millosh Deleviq, Avokat i Vladimir Toliq.

“Duke pasur rëndësinë që ka kjo çështje është shumë e rëndësishme që edhe të pandehurit t’i kenë kopje të shkresave të lëndës në formë fizike, prandaj konsideroj që nuk mund të vazhdojmë me këtë procedurë sot”, tha DEK Jovana Filipoviq, Avokate e Dushan Maksimoviq.

Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, duke përfshirë edhe ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiqin për sulmin terrorist të Banjskës.

Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale të rënda kundër rendit kushtetues, terrorizmit, financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave.

Më 24 shtator të vitit 2023 policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zvecanit nga një grup terrorist, aty mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA