Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ai ka pranuar raporte që thonë se presidenti rus, Vlaidmir Putin, po planifikon që të sulmojë centralet e energjisë bërthamore dhe infrastrukturën në Ukrainë, me qëllim që t’i shkëpusë uzinat nga rrjeti elektrik.
Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Zelensky tha se së fundi ka pranuar “edhe një raport tjetër alarmues të inteligjencës sonë” që thotë se Rusia po përdor satelit për të mbledhur imazhe dhe informacione të detajuara për infrastrukturën bërthamore të Ukrainës.
“Çdo sulm raketor apo me dron, çdo incident kritik në sistemin e energjisë mund të çojë në katastrofë bërthamore”, tha ai.
Moska “duhet ta kuptojë këtë, dhe kjo varet pjesërisht nga vendosmëria juaj për t’i bërë presion agresorit”, tha ai gjatë tubimit vjetor në Nju Jork.
“Larg qoftë, por nëse Rusia shkakton katastrofë bërthamore në një nga centralet tona bërthamore, rrezatimi nuk do të njohë kufij”, tha ai.
Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të vazhdojnë të mbajnë në krye të agjendës së tyre luftën e shtetit të tij kundër pushtimit të nisur nga Rusia dhe paralajmëroi se Putini synon të marrë më shumë territor.
“Mendoj se çdo lider, çdo shtet që na mbështet… e sheh se si Rusia, një shtet mbi 20 herë më i madh se Ukraina me territor, dëshiron më shumë tokë”, tha ai.
Që kur ka arritur në SHBA për mbledhjet e OKB-së, Zelensky ka zhvilluar një fushatë intensive diplomatike, duke u takuar me ligjvënës amerikanë dhe duke u paraqitur në mediat amerikane me apelin që Uashingtoni të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën.
Presidenti ukrainas planifikon t’ia shpalosë një “plan të fitores” presidentit amerikan, Joe Biden, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, teksa sulmet ruse po vazhdojnë në Ukrainë.
Ai po ashtu hodhi poshtë përpjekjet e Kinës dhe Brazilit për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se këto dy shtete po propozojnë një alternativë për formulën e tij për paqe.
Propozimi i “alternativave, planeve gjysmake, të bazuara në të ashtuquajtura parime” do t’i jepnin Putinit hapësirën politike për të vazhduar luftën, tha ai.
Kina ka tentuar që të bindë shtetet që t’i bashkohen planit të paqes prej gjashtë pikash që, së bashku me Brazilin, kanë prezantuar në maj.
Një ditë më herët, presidenti ukrainas i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Rusia vetëm nëse detyrohet mund të arrijë paqe, teksa i cilësoi si “bashkëpunëtorë” në luftë Iranin dhe Korenë e Veriut, shtete që janë akuzuar se i japin Moskës armë të cilat ajo i përdor për të sulmuar Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022./ REL
Top Channel