Qindra viktima në Liban, Turqia: Të ndërhyjnë ndërkombëtarët! SHBA nis trupa shtesë

24/09/2024 15:36

Kanë vazhduar përgjatë gjithë natës sulmet izraelite mbi Liban; në atë që përshkruhet si dita më vdekjeprurëse e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut që nga viti 2006, u vranë rreth 550 persona, përfshirë 50 e fëmijë e u plagosën qindra të tjerë.

Me dhjetëra objektivë u goditën në jugun e vendit ku të përfshirë nga paniku, mijëra vetë kanë braktisur shtëpitë e tyre.

Hezbollahu, i armatosur rëndë e mbështetur nga Irani ka marrë goditje të forta, por mbetet një grup i fuqishëm. Ai ende nuk ka vënë në përdorim armët e veta më të sofistikuara, duke përfshirë raketa të drejtuara me precizion që mund të godasin thellë brenda Izraelit.

Në vend të kësaj, vazhdoi të lëshojë drejt veriut të shtetit hebre raketa të thjeshta që sipas IDF-së, ose u shkatërruan ose ranë në zona të hapura. Mes deklaratave të Izraelit që tregojnë se ky është vetëm fillimi i fushatës së tij, e cila mund të përfshijë edhe një pushtim tokësor të Libanit jugor për të larguar luftëtarët nga zonat kufitare atje, frika se këto sulme mund ta shtyjnë Lindjen e Mesme akoma edhe më thellë në “kasos” e shtyu Turqinë t`i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë.

“Është thelbësore që të gjitha institucionet përgjegjëse të ruajë paqen dhe sigurinë, sidomos Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, por edhe komuniteti ndërkombëtar të marrin masat e nevojshme pa vonesa”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder, njoftoi se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një numër të vogël trupash shtesë në Lindjen e Mesme pas intensifikimit të luftimeve mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut, pa dhënë më shumë hollësi megjithatë mbi  numrin e forcave apo rolin e tyre në Lindjen e Mesme.

Një zyrtar i lartë amerikane megjuithatë citohet të ketë pohuar se mund të bëhet fjalë për dhjetëra trupa dhe detyra e tyre kryesore do të jetë përgatitja për një evakuiim të mundshëm të qytetarëve amerikanë, nëse do të shpërthente një luftë më e madhe rajonale.

Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të largohen nga Libani për shkak të rritjes së rrezikut të një lufte rajonale. Qatar Airways ndërkohë ka vendosur të pezullojë përkohësisht fluturimet në Bejrut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA