Primaret duket se nuk janë i vetmi shqetësim i demokratëve në prag të zgjedhjeve të pranverës të cilët duhet të gjejnë një formulë që kënaq të gjithë aleatët.
Siparin e negociatave e ka hapur Ilir Meta i cili në mungesë të Sali Berishës, është takuar më të besuarin e tij në seli, Flamur Nokën.
Nëse duan të garojnë si koalicion, Sali Berisha dhe Ilir Meta duhet të paraqesin një listë të përbashkët kandidatësh, por dy aleatët e betejave të vjetra janë ende në fazë bisedimesh dhe në takimin informal me sekretarin e përgjithshëm kreu i PL-së, konfirmoi që nuk kishte pasur asnjë kusht.
“Respektojmë çdo vendim të PD, ne marrim vendimin tonë në të mirë të maksimizimit të rezultatit të opozitës së vërtetë dhe fitores së saj. Respektojmë çdo vendim të PD dhe ata besoj do respektojnë vendimin tone”, tha kreu i PL-së.
Por, kur bëhet fjalë për kalkulime elektorale Ilir Meta është i qartë. Pasi krijesën e tij e shndërroi si në formë dhe përmbajtje, nuk e fsheh dëshirën që ka për ta testuar Partine e Lirisë në betejën e pranverës.
“PL në çdo rast do preferonte fitoren e opozitës dhe do të preferonte që të dilte me logon dhe flamurin e saj, por kjo është një çështje që nuk e vë në diskutuam luajalitetin e PL ndaj aksionit opozitar”, shtoi Meta.
Top Channel