Ekipi i Top Channel në zemër të luftës! Gazetari Artur Bibe ndjek zhvillimet nga fronti në përplasjen mes Izraelit dhe Hezbollahut

24/09/2024 17:44

Ekipi i Top Channel raporton nga fronti i luftës në Araf el Aramsa, një fshat që ndodhet në jug të kufirit libanez, jo shumë larg bregut të Mesdheut.

Gazetari Artur Bibe ndodhet 300 metra larg kufirit të Libanit, aty ku Izraeli ka kryer sulme duke lënë pas me qindra viktima, mes tyre edhe civilë.

Dëgjohen shtënat e artilerisë izraelite që po godasin në territorin e Libanit, duket se një tjetër front po sulmohet në krahun e kundërt. Lufta duket se do të jetë e gjatë”-shprehet gazetari Artur Bibe nga fronti i luftës.

Në pamjet e sjella nga kufiri, duket teksa fëmijët bëjnë shenjën e fitores me duar, me shpresën se tmerri një ditë do të mbarojë.

Edhe këta janë të mësuar me luftën, dhe me pasigurinë. Disa fëmijë nuk kanë ku të shkojnë, kanë mbetur në këtë fshat, janë mësuar mes bombave. I vetmi argëtim që kanë është të luajnë me bagëtitë”-shprehet gazetari Bibe.

Shumë nga banorët e këtij fshati janë larguar dhe kanë braktisur banesat, pasi ushtria vijon operacionet në këtë zonë.

Më shumë se 550 njerëz në Liban janë vrarë, duke përfshirë 50 fëmijë, në sulmet izraelite që nga e hëna, raporton ministria e Shëndetësisë.

Të hënën në mëngjes, Izraeli u bëri thirrje banorëve në jug të Libanit të largohen nga shtëpitë e tyre në pjesët ku tha se Hezbollahut ruan armët, duke i paralajmëruar për “bombardime të ashpra” atje.

Hezbollahu është përballur me trysni të madhe në javët e fundit, pasi javën e kaluar mijëra pajisje komunikimi, pejxherë dhe radiolidhje, të përdorura nga pjesëtarët e tij shpërthyen. Për shpërthimin e këtyre pajisjeve Hezbollahu ka fajësuar Izraelin, i cili as nuk e ka pranuar e as mohuar përgjegjësinë.

Hezbollahu filloi të hedhë raketa drejt Izraelit në mënyrë të përditshme pas sulmit të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Izraeli është përgjigjur me sulme ajrore dhe konflikti është rritur prej atëherë. Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë të kryejë sulme derisa të arrihet një armëpushim në Rripin e Gazës. Militantët e Hamasit u futën furishëm në jug të Izraelit më 7 tetor dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen 250 të tjerë.

Lufta e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka vrarë mbi 41.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA