Nga avioni me të cilin udhëtoi drejt SHBA-së, presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky përcolli mesazhin se gjatë vizitës atje, do t’i paraqesë presidentit Joe Biden planin e fitores së vendit të tij.

Të njëjtën gjë, ka ndërmend të bëjë edhe përpara Kongresit, si dhe dy kandidatëve në zgjedhjet amerikane – zëvendëspresidentes Kamala Harris dhe ish-presidentit Donald Trump.

“Kjo është një vizitë mjaft e veçantë. Ukraina do të prezantojë Planin e Fitores në Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të jetë i pari që do ta shohë të plotë. Sigurisht, unë do t’ua prezantoj planin e fitores të gjithë liderëve të vendeve tona partnere, të cilët, si Presidenti Biden, janë udhëheqës të botës e mund të bëhen edhe udhëheqës të paqes duke na ndihmuar me këtë plan.”

Trump e ka kritikuar më parë mbështetjen e SHBA për Ukrainën, ndërsa ka vazhduar të mbajë një qasje më të butë kundrejt presidentit rus Vladimir Putin, megjithatë, së fundi ka thënë se “ndoshta” do të takohet me Zelensky. Vizita e presidentit ukrainas në SHBA, që do të marrë pjesë gjithashtu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, përkon me përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të përgatitur një paketë të re ndihme ushtarake prej 375 milionë dollarësh për Ukrainën.

Më herët në një postim në platformën X, Zelensky shprehej me bindje se “kjo vjeshtë do të përcaktojë të ardhmen e luftës në Ukrainë”. Plan ii tij i fitorës mbështetet në tre elementë:  donacionet e reja të armatimeve për ushtrinë, përpjekje të tjera diplomatike për ta ulur Moskën në tryezën e bisedimeve dhe veshja e Rusisë me përgjegjësinë e plotë të pushtimit të vendit fqinj në vitin 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA