Ushtria izraelite njoftoi se  po kryen sulme të gjera ajrore ndaj objektivave të  Hezbollahut në Liban, teksa shkëmbimet ndërkufitare mes dy palëve vazhdojnë të rriten rrezikshëm.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari i paralajmëroi civilët në jug të Libanit që të largohen nga zonat e përdorura nga grupi i mbështetur nga Irani për qëllime ushtarake, ndërsa i pyetur për një incursion të mundshëm tokësor të shtetit hebre, dha këtë përgjigje:

“Mbani distancën nga postat kufitare të kontrolluara prej Hezbollahut. Izraeli do të bëjë gjithë çfarë është e nevojshme për të kthyer shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre rezidentët e evakuuar në veri të vendit tonë.”  

Në fundjavë, Hezbollahu goditi thellë brenda Izraelit, duke arritur objektiva deri brenda qytetit të Haifasë. Përshkallëzimi erdhi në kohën kur presidenti Joe Biden është shprehur se  SHBA do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të parandaluar një përshkallëzim të konfliktit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi më herët se Izraeli e ka goditur Hezbollahun në mënyra që nuk e kishte imagjinuar kurrë. “Në ditët e fundit ne i kemi shkaktuar një sërë goditjesh Hezbollahut që nuk i imagjinonte kurrë. Nëse Hezbollahu nuk e ka kuptuar mesazhin, ju premtoj, do ta kuptojë mesazhin”, tha ai.

Një drejtues i grupit militant Hezbollah, Hassan Fadlallah duke folur në një funeral për një anëtar të grupit militanant tha se lufta kishte hyrë në një “fazë të re” dhe se grupi militant do të vazhdojë sulmet e tij derisa të ketë një armëpushim në Gazë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA