Autoritetet e sigurisë thonë se numri i adoleshentëve të arrestuar për terrorizëm në Europë është rritur ndjeshëm.
Ka një ripërtëritje të Shtetit Islamik, sipas tyre, i cili po rekruton me sukses të rinj europianë për sulmet e tij. Sulmin ndaj konsullatës së përgjithshme të Izraelit në Mynih, e kreu një 18 vjeçar i identifikuar publikisht vetëm si Emrah I, i cili pas hetimeve rezultoi të kishte qenë thellësisht i ndikuar nga propaganda xhihadiste, megjithëse më parë nuk kishte treguar asnjë shenjë.
Policia beson se adoleshenti u radikalizua gjatë muajve të fundit përmes internetit. Në periudhën mes marsit 2023 dhe marsit 2024 studiuesit në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Mesme regjistruan në mbarë botën 470 akuza të lidhura me grupin ekstremist “Shteti Islamik” (IS). Në të paktën 30 raste ishin të përfshirë adoleshentë ose të mitur. Por shifra reale mund të jetë “shumë më e lartë”, thuhet në raport, sepse shumë vende nuk e specifikojnë moshën e të arrestuarve.
IS-i u mposht ushtarakisht në vitin 2017. Por grupi ekziston ende, i pranishëm sidomos në vendet afrikane dhe Afganistan. Që nga janari i këtij viti IS-PK u ka bërë thirrje ndjekësve të tij, që të kryejnë sulme “të vetmuara” në Evropë, duke synuar evente të mëdha si Lojërat Olimpike, koncerte dhe ndeshje futbolli.
Ndryshe nga më parë, sulmet e të rinjve zakonisht “frymëzohen” nga grupi IS dhe nuk urdhërohen drejtpërdrejt nga një person nga Afganistani, por tani më shumë bëhet fjalë për një aparat organik të një komuniteti në internet”, me një rrjet të larmishëm, që rekruton të rinj”.
Top Channel