100 të vrarë e me qindra të plagosur kanë shkaktuar sipas autoriteteve në Liban bombardimet e Izraelit në këtë vend vetëm gjatë ditës së sotme.
Në mesin e të vrarëve e të plagosurve, sipas ministrisë së shëndetësisë, ka edhe gra e fëmijë. Ushtria izraelite pohoi të ketë goditur më shumë se 300 shënjestra në vend, në mesin e përpjekjeve për të shtuar presionin mbi Hezbollahun. Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant, e bëri të qartë se sulmet ajrore do të vazhdojnë derisa të garantohet siguria për kthimin e të shpërngulurve nga pjesa izraelite e kufirit.
Këto janë bombardimet më të ashpra të Izraelit në Liban që kur nisën luftimet mes tij dhe Hezbollahut pas shpërthimit të konfliktit në Gaza tetorin e kaluar. Më herët, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari i paralajmëroi civilët në jug të Libanit që të largohen nga zonat e përdorura nga grupi i mbështetur nga Irani për qëllime ushtarake, ndërsa i pyetur për një incursion të mundshëm tokësor të shtetit hebre, dha këtë përgjigje:
“Mbani distancën nga postat kufitare të kontrolluara prej Hezbollahut. Izraeli do të bëjë gjithë çfarë është e nevojshme për të kthyer shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre rezidentët e evakuar në veri të vendit tonë”- u shpreh Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.
Në fundjavë, Hezbollahu goditi thellë brenda Izraelit, duke arritur objektiva deri brenda qytetit të Haifasë. Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli e ka goditur Hezbollahun në mënyra që nuk e kishte imagjinuar kurrë. “Në ditët e fundit ne i kemi shkaktuar një sërë goditjesh Hezbollahut që nuk i imagjinonte kurrë.
Nëse Hezbollahu nuk e ka kuptuar mesazhin, ju premtoj, do ta kuptojë mesazhin”, tha ai. Një drejtues i grupit militant Hezbollah, Hassan Fadlallah duke folur në një funeral për një anëtar të grupit militanant tha se lufta kishte hyrë në një “fazë të re” dhe se grupi militant do të vazhdojë sulmet e tij derisa të ketë një armëpushim në Gazë.
Top Channel