Të paktën 274 persona janë vrarë në Liban, 21 prej të cilëve janë fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa 1024 persona të tjerë janë plagosur.
Kjo ditë konsiderohet si më vdekjeprurësja në Liban gjatë konfliktit pothuajse njëvjeçar midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Bombardimet izraelite po vazhdojnë në Libanin jugor, duke përfshirë edhe qytetin bregdetar të Tirit. Mijëra banorë thuhet se po ikin nga rajoni drejt Bejrutit. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po paralajmërojnë për sulme të rëndësishme në Luginën Bekaa në verilindje të Libanit.
Këtë mëngjes, IDF, përmes zëdhënësit të saj, kundëradmiralit Daniel Hagari, tha se Hezbollahu kishte “militarizuar infrastrukturën civile” dhe “shndërroi Libanin jugor në një fushë beteje”.
Ai këshilloi “civilët nga fshatrat libaneze të vendosura brenda dhe pranë ndërtesave dhe zonave të përdorura nga Hezbollahu për qëllime ushtarake” që të largohen menjëherë për sigurinë e tyre.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se “ditë të vështira” e presin vendin.
Vërejtjet e tij erdhën pas një takimi në selinë ushtarake Kirya në Tel Aviv, ku ai theksoi se Izraeli nuk pret për kërcënime, por në vend të kësaj “i parandalon” ato – duke iu referuar sulmeve të fundit të vendit të tij në Libanin jugor.
“Unë premtova se do të ndryshonim balancën e sigurisë, balancën e fuqisë në veri – kjo është pikërisht ajo që po bëjmë,” thotë ai.
Top Channel