OKB miraton “paktin për të ardhmen”/ Rusia tenton të bllokojë: Mos ndërhyni në punët e brendshme të shteteve

22/09/2024 19:36

Pavarësisht kundërshtimeve nga një grup vendesh të udhëhequra nga Rusia, Organizata e Kombeve te bashkuara miratoi një “Pakt për të Ardhmen” që synon adresimin e sfidave të shumta të shekullit, nga konfliktet te ndryshimet klimatike dhe të drejtat e njeriut.

Gjatë punimeve të samitit për të ardhmen që po zhvillohet në New York, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se kjo është një “mundësi që vjen një herë në një gjeneratë” për të rishkruar historinë njerëzore duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Ne besojmë se ka një rrugë drejt një të ardhmeje më të ndritur për gjithë njerëzimin”, thuhet në dokumentin që përmban  56 “veprime”, përfshirë angazhimet për multilateralizëm, mbrojtjen e Kartës së OKB-së dhe ruajtjen e paqes.

“Pakt për të Ardhmen” gjithashtu bën thirrje për reforma në institucionet financiare ndërkombëtare dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, së bashku me përpjekjet e ripërtërira për të luftuar ndryshimet klimatike, për të promovuar çarmatimin dhe për të udhëhequr zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Ishte planifikuar që marrëveshja të miratohej unanimisht nga të 193 shtetet e Kombeve të Bashkuara pa votim.

Por miratimi i tekstit u përball me një vonesë të shkurtër kur zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Vershinin, paraqiti një amendament që theksonte “parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve”.

Kundërshtimet e Rusisë u mbështetën nga aleatët e saj, si Bjellorusia, Koreja e Veriut, Irani, Nikaragua dhe Siria, por amendamenti u hodh poshtë me shumicë dërrmuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA