Forcat izraelite bastisin Al Jazeeran, gazetarëve në Bregun Perëndimor u jepet urdhër mbyllje për 45 ditë

22/09/2024 12:07

Transmetuesi i Katarit Al Jazeera tha se forcat izraelite bastisën zyrën e saj në Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar të dielën dhe lëshuan një urdhër mbylljeje 45-ditore.

Qeveria izraelite javën e kaluar njoftoi se po revokonte kredencialet e shtypit të gazetarëve të Al Jazeera në vend, katër muaj pasi ndaloi kanalin të funksiononte brenda Izraelit.

“Ka një vendim gjykate për mbylljen e Al Jazeera për 45 ditë,” i tha një ushtar izraelit shefit të zyrës së Al Jazeera në Bregun Perëndimor duke cituar bisedën që u transmetua drejtpërdrejt.

Në pamje duket ushtari që kërkon që të merren të gjitha kamerat dhe të largohen nga zyra menjëherë.

Televizioni Aj Jazira tha se ushtarët nuk dhanë një arsye për urdhrin e mbylljes. Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka pasur një përplasje të gjatë me Al Jazeera që është përkeqësuar që nga fillimi i luftës në Gaza pas sulmit të 7 tetorit nga grupi militant palestinez Hamas.

Ushtria izraelite ka akuzuar vazhdimisht gazetarët e rrjetit të Katarit si “agjentë terroristë” në Gaza të lidhur me Hamasin ose aleatin e tij, Xhihadin Islamik.

Zyra e medias e qeverisë së drejtuar nga Hamasi në Gaza dënoi bastisjen e së dielës, duke thënë në një deklaratë se ishte një “skandal i zhurmshëm dhe një shkelje e hapur e lirisë së shtypit”.

Parlamenti izraelit miratoi një ligj në fillim të prillit që lejon ndalimin e transmetimeve të mediave të huaja që konsiderohen të dëmshme për sigurinë e shtetit.

Bazuar në këtë ligj, qeveria izraelite miratoi më 5 maj vendimin për ndalimin e transmetimit të Al Jazeera nga Izraeli dhe mbylljen e zyrave të saj për një periudhë 45-ditore me mundësi të rinovueshme, e cila u zgjat për herë të katërt nga një gjykatë në Tel Aviv javën e kaluar.

Mbyllja nuk kishte ndikuar në transmetimet nga Bregu Perëndimor apo Rripi i Gazës, nga ku Al Jazeera po mbulonte ende luftën e Izraelit me militantët palestinezë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA