“Yjet shqiptarë të diasporës” ka nisur xhirimet në Romë me fluksin e të rinjve shqiptarë që jetojnë në Itali, të cilët duan të konkurrojnë në spektaklin më të madh të talenteve që do të transmetohet në Top Channel nga janari.
Për herë të parë në ekranet shqiptare, po realizohet një projekt, i mbështetur nga fondacioni Dritan Hoxha, jashtë kufijve të Shqipërisë, për promovimin e vlerave të diasporës.
Stafi i Top Channel do të zhvendoset kudo në botë ku ka shqiptarë, duke bërë ndalesën e parë këtë fund shtatori në rooftop studio në Romë, për të vijuar më tej në 5 tetor në Dortmund ne Gjermani, Zvicër, Maqedoninë e Veriut, Malin e zi dhe Kosovë.
“Po nisim rrugëtimin tonë, pikërisht në romë, për zbulimin, promovimin e talenteve kudo që ata janë. Janë me dhjetëra konkurrentë që po na presin, do të kemi disa episode dedikuar talenteve këtu në Romë”, tha Ilir Shaqiri.
Harta gjeografike e xhirimeve përtej Shqipërisë nuk është i vetmi element që do të garantojë një program televiziv madhështor, por edhe talentet shqiptarë të diasporës premtojnë një spektakël të vërtetë.
“Është një iniciativë e mrekullueshme” u shpreh një konkurrent.
Dhjetëra artistë në zhanera të ndryshëm me origjinë shqiptare janë bërë pjesë e programit, teksa aplikimet janë ende të hapura. Mos e humbisni mundësinë!
Top Channel