Ushtarët rusë akuzohen për përfshirje në vrasjen e një amerikani

21/09/2024 08:01

Russell Bentley, një burrë nga Teksasi, i cili si “Kauboj i Donbasit” fitoi famë pasi iu bashkua forcave të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore, u torturua para se të vritej në qytetin ukrainas të pushtuar nga Rusia, Donjeck, thanë autoritetet ruse.

Ato gjithashtu thanë se rrëmbyesit e tij të dyshuar u përpoqën ta fshihnin vrasjen e tij duke e shpërthyer një makinë në të cilën ndodhej trupi i tij.

Në një komunikatë të publikuar më 20 shtator, Komiteti Hetimor rus tha se është ngritur aktakuzë ndaj katër anëtarëve të Forcave të Armatosura Ruse – Vitaly Vansyatsky, Vladislav Agaltsev, Vladimir Bazhin dhe Andrei Iordanov –në lidhje me vrasjen e Bentleyt në prill.

Bentley, 64 vjeç, ishte një figurë e njohur në inkursionin e vogël rus në Ukrainë që daton në vitin 2014. Duke e quajtur veten “Kauboj i Donbasit”, Bentley u bë një figurë e njohur në rrjetet e propagandës ruse për kritikat e tij ndaj Qeverisë amerikane.

Bentley, i cili njihej me nofkën ushtarake “Teksas”, u zhduk në Donjeck në prill.

Margarita Simonyan, gazetare e njohur pro Kremlinit dhe kryeredaktore e transmetuesit të kontrolluar nga shteti, RT, shkroi në X në atë kohë se Bentley vdiq për “popullin tonë” në Donjeck.

Komandanti i Batalionit Vostok të separatistëve të mbështetur nga Rusia, Aleksandr Khodakovsky, tha në Telegram në atë kohë se “ata që vranë Russell Bentleyn” do të përballen me “ndëshkim”. Por, mesazhi i tij u fshi nga Telegram pak pasi u postua.

Gruaja e Bentleyt, Lyudmila, më pas pretendoi se ushtarë rusë nga një batalion tankesh e kishin rrëmbyer atë.

Sipas Komitetit Hetimor, Vansyatsky, Agaltsev dhe Iordanov e torturuan Bentleyn më 8 prill dhe ai vdiq menjëherë si pasojë.

Vansyatsky dhe Agaltsev dyshohen se kanë hedhur në erë një veturë brenda të cilës ishte trupi i Bentleyt dhe se e urdhëruan Bazhin të hiqte qafe çfarëdo që kishte mbetur nga ai.

Katër ushtarët akuzohen për keqpërdorim të detyrës, torturë që shkaktoi vdekje, përdhosjen e kufomës dhe konspiracion për ta fshehur kufomën.

Komiteti Hetimor nuk shpjegoi pse katër burrat e torturuan Bentleyn deri në vdekje, por shumë nga miqtë e tij në Donjeck kanë lënë të kuptohet se ai mund të jetë ngatërruar për një spiun.

Bentley luftoi për batalionin Vostok midis viteve 2014 dhe 2017 dhe mori shtetësinë ruse në vitin 2021./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA