Mungesa e punonjësve të kualifikuar po i shtyn autoritet e disa vendeve të Bashkimit Europian që t’i kthejnë sytë nga pensionistët, të cilët po joshen që të rikthehen në tregun e punës, sigurisht nëse edhe ata vetë do të ishin të gatshëm për këtë.
Së fundi edhe kreu i ekzekutivit shqiptar Edi Rama i ftoi mësuesit e dalë në pension që të rikthehen në shkolla, nëse do të mundeshin.
“Kemi shumë mësues dhe mësuese në pension, të cilët mund t’i ftojmë që të angazhohen me orar të reduktuar.”-u shpreh Rama.
“Vendet e zhvilluara perëndimore kanë programe të posaçme mbi mënyrën si t’i integrojnë pensionistët në tregun e punës duke I ftuar ata të kontribuojnë në fushat dhe zanatet dhe profesionet që kanë patur prej shumë vitesh, por kryesisht në rolin e këshilltarit për atë shërbim apo profil pune gjë që u jep komoditet mbi mënyrën sesi do të punojë.
Në Shqipëri funksionon ndryshe. Këtu po ftohen pensionistët nga mungesa dhe vendet vakante që kanë shumë institucione, sipërmarrje dhe industri, për ta përfshirë pensionistit po me të njëjtat vështirësi dhe procese pune që ka bërë në moshën e rinisë, për të mbuluar një pozicion pune, jo për të shërbyer duke dhënë thjesht ekspertizën e nevojshme me kohë të pjesshme sipas mundësive fizike dhe mendore që ka në funksion të përmirësimit të proceseve të punëve apo duke edukuar dhe mësuar të rinjtë që të jenë më të specializuar për punën që bëjnë.
Mendoj se pensionistët shqiptarë do t’i përgjigjen thirrje së kryeministrit për disa arsye. Së pari për të kompensuar pensionin e ulët që marrin, së dyti për të mbajtur marrëdhëniet sociale ende aktive dhe së treti për të mos patur kështu nostalgji për profesionin apo zanatin e dikurshëm, por ta ushtrojnë atë edhe tanimë që janë në pension“-u shpreh Erion Muça, ekspert për punësimin.
Top Channel