Mbledhja e parë e organizuar me strukturat e Partisë Demokratike në Lezhë, është shoqëruar me debate mes anëtarëve të partisë më të madhe opozitare në vend.

Në këtë mbledhje, sekretari i përgjithshëm Flamur Noka prezantoi drejtuesin e ri politik, Agron Gjekmarkaj. Por, ky vendim nuk u pëlqeu disa prej anëtarëve, të cilët penguan vijim normal të mbledhjes.

“Unë dua të fitoj, nuk dua të humbas. Unë mbroj votën e mbështetësve të mi. A tha Sali Berisha në 11 janar që do të bëhet me primare. Pse nuk na sjell Primaret”, tha një prej tyre.

“Ne nuk dalim për fushatë nëse filani zgjidhet drejtues politik. Kam shtatë seksione dhe kujtdo që i kam thënë, shprehen se po na erdhi në listë të mbyllur Agron Gjekmarkaj dhe po na erdhi drejtues politik, ne asnjë nuk dalim. Nuk do të bëj fushatë vetëm”, u shpreh një tjetër.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, në një deklaratë për mediat, theksoi se nuk ka pasur asnjë kontestim për Gjekmarkajn, por diskutime me qëllimin e vetëm “të bëhemi të gjithë bashkë për të mundur të keqen”.

“U prezantua drejtuesi politik. Sali Berisha, Partia Demokratike i ka sjellë Lezhës një intelektual brilant të kalibrit të lartë. I ka sjellë nënkryetarin e partisë, nënkryetarin e Kuvendit, pra një nga figurat politike më të larta të kësaj partie. Njeriun që i bën nder Lezhës, është njeri i mendjes, i penës, nuk krahasohet me Ulsiun. Shihni si e trajton Lezhën Edi Rama që sjell një anëtar të një grupi kriminal dhe si e trajton Sali Berisha që sjell një intelektual. Asnjë kontestim nuk ka pasur. Ka pasur diskutime për aksionin, si do të bëhemi të gjithë bashkë për të mundur të keqen”, tha tha Noka.

Agron Gjekmarkaj ka dalë deputet nga listat e PD në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Aktualisht, mban postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike dhe nënkryetarit të Kuvendit. Ai dha kontributin e tij në bashkimin e grupit parlamentar të PD duke njohur Berishën si kryetar të kësaj partie edhe pse në fillim të konfliktit të brendshëm kishte mbështetur Lulzim Bashën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA