Erdogan thirrje Perëndimit: Ndërmerrni masa ndaj Izraelit, ndryshe do të përfshihemi në një katastrofë të madhe

21/09/2024 19:52

Sulmet ndaj Libanit këtë javë treguan se qeveria izraelite e kishte në plan ta përhapte luftën në rajon, tha të shtunën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke u bërë thirrje vendeve perëndimore të marrin “masa parandaluese” kundër veprimeve të Izraelit.

Erdogan deklaroi në një konferencë për shtyp se lufta e Izraelit në Gaza do të jetë tema kryesore e fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 24 shtator.

“Që rajoni ynë të mos tërhiqet në një katastrofë të madhe, presioni mbi Izraelin duhet të rritet edhe më shumë”, tha Erdogan në një konferencë për shtyp në Stamboll.

Ai komentoi mbi sulmet në Liban këtë javë, përfshirë shpërthimin e pejxherëve dhe radio-lidhjeve të anëtarëve të Hezbollahut që shkaktuan vdekjen e 39 personave.

Sulmet ndaj pajisjeve të komunikimit besohet gjerësisht se janë kryer nga Izraeli, që nuk e ka konfirmuar apo mohuar përfshirjen e tij.

“Është koha që të gjitha vendet me misionin e mbrojtjes së paqes botërore të gjejnë zgjidhje që do ta ndalë Izraelin”, tha Erdogan.

“Për ta ndalur këtë shtypje që po vazhdon prej gati një viti, për ta vendosur një armëpushim të përhershëm dhe për të siguruar rrjedhën e pakufizuar të ndihmave humanitare, të gjithë ne, bota e tërë dhe veçanërisht OKB-ja, kemi detyra të rëndësishme,” shtoi ai.

Turqia ka dënuar veprimet e Izraelit në Gaza, të cilat erdhën si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor.

Izraeli thotë se rreth 1.200 njerëz u vranë dhe mbi 250 persona u morën peng në sulmin e Hamasit. Ofensiva e mëvonshme ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës ka vrarë më shumë se 41.000 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë së enklavës.

Ankaraja ka pezulluar tregtinë me Izraelin dhe ka paraqitur një kërkesë për t’u bashkuar në rastin e Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke akuzuar Izraelin për gjenocid. Izraeli i ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat për gjenocid si të pabaza. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA