Tiranës i shtohet një kopsht i ri, “Ylberi” me kapacitet për të pritur 180 fëmijë në kryeqytet

20/09/2024 15:10

Kopshti “Ylberi” në njësinë nr.1, kopshti më i ri në kryeqytet, me kapacitete për 180 fëmijë, u përurua nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Kemi kopshte me ashensorë, me super kuzhina, me ushqime të freskëta, që konsumohen brenda ditës. Këtë standard e kemi traditë në bashki sepse ne nuk ndërtojmë vetëm një ndërtesë, por një komunitet. Parimi ka qenë të shtohemi pa lëshuar asgjë te cilësia”, tha Veliaj.

Hapja e kopshteve të reja do të vijojë në lagjet jashtë qendrës së kryeqytetit.

“Ne do të sigurohemi që, edhe në disa hapësira të tjera, sidomos në zona si Fresku, lagjja Rilindja, Liqeni i Thatë, të shkojmë me një sistem qiraje, aty ku nuk kemi mundësi të ndërtojmë pronat e bashkisë. Pra, të ketë një hyrje më vete, të ruhet privatësia, të mos ketë komunikim me banorët e pallateve etj”, u shpreh kryebashkiaku.

Kryebashkiaku Veliaj tha se po punohet për ndërtimin e një qendre, e cila do të ndihmojë fëmijët me aftësi të veçanta.

“Ne duam që qendra jonë e re, pranë Ambasadës Amerikane, të kthehet në një qendër të jashtëzakonshme ekselence për të trajtuar jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit. Edhe ata kanë nevojë për terapi, edhe ata kanë nevojë për socializim, edhe ata kanë nevojë për një dorë mbështetëse”, shtoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA