Në përpjekje për të forcuar marinën e saj luftarake, Greqia pritet të fillojë negociatat për të blerë fregatën e e katërt nga Franca

19/09/2024 23:00

Greqia do të fillojë negociatat për të blerë një fregatë të katërt të tipit Belharra nga Franca për të forcuar marinën e saj luftarake, pasi tashmë po rimëkëmbet nga një krizë borxhi prej një dekade .

Lajmin e ka bërë me dije ministri grek i mbrojtjes Nikos Dhendias gjatë inagurimit të lëshimit në ujë të fregatës së dytë luftarake Belhara në një ceremoni në kantierin detar në Lorient të Francës , ku merrte pjesë edhe homologu i tij francez dhe ushtarakë të lartë nga të dy vendet, raporton korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku.

“Kam kënaqësinë të njoftoj synimin e Greqisë për të nisur negociatat për blerjen e një fregate të katërt të tipit FDI për t’iu bashkuar fregatave “Kimona”, “Nearchus” dhe “Formiona”, duke forcuar më tej Marinën tonë Luftarake”, tha ai.

Greqia ra dakord në vitin 2021 për të blerë tre fregata të reja Belharra për 3.0 miliardë euro por kësaj flote tashmë do i shtohet edhe anija e katërt ,bashkë me një program të gjerë modernizimi.

Fregata Nearchos ka një zhvendosje prej 4500 tonësh, një gjatësi rreth 122 metra, një shpejtësi maksimale 27 nyje, një ekuipazh prej 120 personash dhe është e pajisur me teknologji moderne dixhitale, si dhe një rrjet sensorësh të integruar .

“Tre fregatat e fundit do të jenë të pajisura me raketën strategjike SCALP NAVAL, ndoshta raketa më e avancuar “cruise” që mund të godasë objektiva strategjikë në distanca më shumë se një mijë kilometra, me saktësi shumë të lartë”, tha Dendias.

Sipas ministrit grek me fregatën e re Greqia forcon praninë e saj në Mesdheun Lindor, mbron jo vetëm kufijtë e sa,j por edhe të atdheut më të madh, të familjes evropiane ,pa vënë në dyshim të drejtat ligjore të vendeve të tjera.

Gjithashtu Dhendias ka thënë se do të fillojnë të zbatohen menjëherë edhe programet e modernizimit të fregatave MEKO, të raketahedhësve ROUSSEN, por edhe të nëndetëseve,ndërsa do të blihen edhe katër anije të reja patrulluese ISLAND, të cilat së shpejti do t’i bashkohen flotës greke si pjesë e programit Eurocorvette.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA