Libani po jeton orë tmerri: Pas valës së shpërthimeve të pager-ave që morën 12 jetë njerëzish e plagosën mbi 2.000, shpërthime masive të telekomanduara radiomarrësesh vranë edhe 20 persona të tjerë e lënduan mbi 450.
Tashmë, në këtë vend, askush nuk ndihet më i sigurt.
“Kemi frikë të qëndrojmë pranë laptopëve dhe telefonave tanë,” tha një grua libaneze për BBC. Edhe pse Izraeli vazhdon të heshtë lidhur me ngjarjen tronditëse, ministri i tij i mbrojtjes Yoav Gallant njoftoi publikisht nisjen e “një fazë të re të luftës”. Sipas New York Times e gjithë kjo skemë i ka fillesat që në 2022-shin.
Mullahët iraninët, thotë gazeta prestigjoze, kishin kërkuar të blinin pajisje nga sipërmarrje në dukje të sigurta, por që në fakt, drejtoheshin nga inteligjenca izraelite. Mossadi, shkruan e përditshmja amerikane, ka angazhuar të paktën dy kompani për të mashtruar kundërshtarin duke i kaluar pajisje të manipuluara.
Taktikë kjo, e cila në të shkuarën, është eksperimentuar edhe kundër programit bërthamor të republikës islamike. Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah i kishte paralajmëruar më parë anëtarët e grupit që të mos mbanin telefona celularë, duke thënë se mund të përdoren nga Izraeli për të gjurmuar lëvizjet e grupit. Si rezultat, Hezbollahu përdor mjetet ‘pager’ për të komunikuar.
Ndryshe nga telefonat celularë, këto pajisje shfrytëzojnë të tjera valë komunikimi dhe janë më të përdorshme për raste urgjente. Pajisjet ‘pager’ e ndihmuan Hezbollahun për të anashkaluar survejimin e mundshëm nga Izraeli të telefonisë celulare të Libanit. Ky lloj sulmi tani, mendohet se do ta detyrojë Hezbollahun që të ndryshojë strategjitë e komunikimit.
Top Channel