Kapet në kamera momenti i shpërthimit, si i manipuloi Izraeli pagera-t e Hezbollahut?

18/09/2024 12:24

Pamjet e regjistruara nga një kamera sigurie tregojnë momentin e shpërthimit të një aparati telefonik, dhe një burrë që shembet përdhe në një treg fruta-perimesh në Bejrut.

Me qindra pagerë të përdorur nga anëtarët e Hezbollahut shpërthyen anekënd Libanit, duke vrarë të paktën 9 persona, përfshirë një vajzë 8 vjeçare, e duke plagosur 2.800 të tjerë në një sulm të sofistikuar nga distanca për të cilin grupi militant i mbështetur nga Irani menjëherë fajësoi Izraelin. Ndërkohë, ka viktima e të plagosur edhe në Siri. 500 persona, sipas raporteve në shtypin e huaj, kanë humbur shikimin.

Mes të plagosurve ishte edhe ambasadori i Iranit në Liban. Pajisjet ‘pagers’ që shpërthyen me sa duket ishin blerë nga Hezbollahu pasi udhëheqësi i grupit militant i urdhëroi anëtarët në shkurt që të ndalonin përdorimin e telefonave celularëve, duke paralajmëruar se mund të gjurmoheshin nga organet izraelite të zbulimit.

Një zyrtar i Hezbollahut i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se mjetet e komunikimit ‘pagers’ ishin një markë e re, por nuk pranoi të thoshte se për sa kohë i kishin në përdorim. Shpërthimet misterioze ndodhin mes të tensioneve në rritje midis Izraelit dhe Hezbollahut, të cilët janë përfshirë në shkëmbiem zjarri me njëri-tjetrin që prej sulmit të Izraelit në 7 tetor që shkaktoi luftën në Gazë. Mësohet se ‘pagers’ nëpër duart apo xhepat e përdoruesve filluan të nxeheshin dhe më pas shpërthyen duke krijuar skena të përgjakshme dhe panik. Shpërthimet ndodhën kryesisht në zonat ku Hamasi ka një prani të fortë, veçanërisht në periferinë jugore të Bejrutit dhe rajonin Beqaa në lindje të Libanit, sipas zyrtarëve libanezë të sigurisë dhe një zyrtari të Hezbollahut.

Ushtria izraelite nuk ka pranuar të komentojë. Shpërthimet ndodhën disa orë pasi agjencia e sigurisë së brendshme të Izraelit, Shin Bet, tha se kishte penguar një përpjekje të Hezbollahut për të vrarë një ish-zyrtar të lartë të sigurisë izraelite duke përdorur një mjet shpërthyes të komanduar nga distanca. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk kishin dijeni paraprake për këtë incident” dhe nuk ishin të përfshira. Sipas ekspertëve, ka shumë mundësi që të gjitha pajisjet të jenë modifikuar përpara se Hezbollahu t’i blinte ato, gjë që nënkupton për një operacion shumë të suksesshëm të Mossad-it.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA