Ndodhemi në fshatin Braçanj, njësia Administrative Miras, në Devoll. Një lokalitet i vogël në juglindje të vendit që i kujtohet ekzistenca vetëm në raste zgjedhjesh, njëherë në dy vite.
Banorët e këtij fshati kanë dy burime të ardhurash. Pjesën kryesore e marrin nga remitancat, të ardhurat nga emigracioni në Greqi duke qenë zone kufitare. Pjesa tjetër e popullsisë që ka zgjedhur të jetojë në fshat merret me blegtori dhe bujqësi.
Disa prej fermerëve të vegjël të Braçanjit u bënë “kurbani i parë” i parregullsive të lëvizjes së kafshëve, thënë ndryshe kontrabandës së viçave.
Ky zotëri që na priti në shtëpinë e tij quhet Avenir Kanina. Ai është një prej fermerëve të vegjël të fshatit. Gjithë jetën e tij ia ka kushtuar tregtisë së gjedhëve duke e pasur burimin kryesor të të ardhurave. Megjithatë, prej 1 viti ai është përballur me një problem madhor.
“Kam blerë këta 6 vica që nga shtatori i vitit 2023, po më bëhet thuajse viti tashmë. Vicat janë me matrikullim bullgar. Nuk ishte hera e pare qe i marrim. I kemi blere nga Lushnja. I kemi marre çdo vit, por këtë here nuk na i matrikulluan”, u shpreh fermeri, Avenir Kanina
Avenir Kanina ndodhet në një situatë shumë të ndërlikuar. Veç demit ekonomik të konsiderueshëm, mund të përballet dhe me pasoja ligjore.
“Kam blere 6 viça. Demi ekonomik llogaritet te 5 milion lekë të vjetra, pa harruar dhe ushqyerjen. Nuk e di se pse nuk i matrikullojnë, pasi një veteriner na i bllokoi. Nuk e di se çfarë duhet të bëj me këta viça. Të na thonë, pasi dhe kështu nuk mund te vazhdohet. Më kanë mbetur në dere, as nuk i shes, asgjë. Jam bllokuar” u shpreh fermeri, Avenir Kanina.
Top Channel