Infrastruktura e re për administratën, shpallen fituesit e studiove arkitekturore

17/09/2024 21:12

Qeveria ka vendosur ngritjen e Korporatës Shqiptare të Investimeve, ku shteti vë në dispozicion pronat publike dhe më pas fton në konkurs investitorë vendas e të huaj për ndërtimin e projekteve, nga ku shteti do të përfitojë si pronar i truallit një infrastrukturë të re për institucione publike.

Juria ndërkombëtare zgjodhi të martën studiot arkitekturore për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve për 4 zhvillime të reja.

Për grupin e parë, për lotin e parë, për strukturën administrative u zgjodhën studiot COLDEFY (Francë) dhe Snohetta.

Për lotin e 2 u zgjodhën studiot ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (SHBA).

Për grupin e dytë për lotin një dhe dy u zgjodh e njëjta studio BAUKUH (Itali) dhe studio Snohetta (Norvegji).
Kryeministri Edi Rama kërkoi dhënien fund të pagesave miliona Euro në vit qira për godinat e institucioneve të ndryshme.

“Faktikisht sot arkitektet janë thirrur të në ofrojnë idetë dhe projektet e tyre për të na dhënë mundësinë të ndërtojmë një kompleks të madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe nga ana tjetër edhe një tjetër godinë publike ku do të akomodohen të tjera institucione që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë për të gjitha kërkesat e tyre”, tha Rama.

Kryeministri tregoi se Korporata Shqiptare të Investimeve, ose ndryshe Albanian Investment Corporation (AIC) do të bashkëpunojë me dy agjenci të mirënjohura në Europë.

“Ajo që do të ndodhë falë agjencisë në fjalë, pra Korporatës Shqiptare të Investimeve është që shteti nuk do të dorëzojë më prona ashtu siç i ka dorëzuar në të shkuarën tek privatët, por do të futet në një rol po aq aktiv si përfaqësues i pronës së vet përmes AIC për të nxjerrë nga shfrytëzimi i pronave publike, të mira publike dhe natyrisht edhe për të nxjerrë përfitime financiare për vetë shtetin që do të shërbejnë për investime të mëtejshme”, tha Rama.

Ndërtime bazuar në arkitekturë të mirë tha kryeministri i shërbejnë edhe turizmit.

“Shqipëria ka mundësi dhe duhet të ketë dhe do të ketë në të nesërmen, si një vend që nuk do të jetë thjesht një destinacion për plazhet, për natyrën e bukur, për trashëgiminë kulturore e për të tjera, por do të jetë edhe një destinacion edhe për arkitekturën e re dhe bashkëkohore përmes veprave që po marrin jetë”, deklaroi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA