Përmbytjet bëjnë “kërdinë” në Europë, viktima dhe evakuime masive: S`ka mbaruar ende!

16/09/2024 11:49

Shirat e rrëmbyer dhe përmbytjet kanë shkaktuar kaos në Europën Qendrore dhe Lindore.

Në disa zona në jug të Austrisë, ku një zjarrfikës humbi jetën gjatë një evakuimi, është shpallur gjendja e jashtëzakonshme prej vërshimeve. Më e rënduar, gjendja paraqitet në landin Niederösterreich.

Për shkak të reshjeve të dendura “priten përmbytje të mëtejshme masive në mbarë rajonin”, i tha zëvendëskryeministri i këtij landi, Stephan Pernkopf, për agjencinë austriake të lajmeve APA. Në disa zona ka rrezik për rrëshqitje toke, e në shumë të tjera janë mbuluar nga uji, duke izoluar një sërë fshatrash. Edhe në disa komuna në veri të Vjenë u desh të shpëtohen njerëzit e bllokuar nga masa e ujit nëpër shtëpi. Ekipet e emergjencës përdorën helikopterët e gomonet.

Katër vetë janë zhdukur në Çeki, të rrëmbyer nga masa e ujit. Më i prekur është rajoni në lindje të vendit në kufi me Poloninë, ku është urdhëruar evakuiimi i mijëra banorëve. Lumi Olsa, një degë e Oderit, rrezikon të vërshojë jashtë shtratit. Një person u mbyt në Poloni, teksa stuhia Boris nuk duket ende ta ketë vrullin e saj; pesë janë të vdekurit në Rumani, ku janë dëmtuar rreth 5000 shtëpi dhe qindra njerëz u desh të shpëtohen prej vërshimeve.

“Kjo është një katastrofë e përmasave epike”, thanë zyrtarë lokalë në rajonin Galati. Pas përmbytjeve ekstreme në vitin 2021, Rrjeti Botëror i Atribuimit të Motit doli në përfundimin se ngrohja e klimës i shton gjasat dhe intensitetin e ngjarjeve të tilla në Europë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA