FBI deklaron se kanë nisur hetimet pas të shtënave me armë në afërsi të fushës së golfit ku ndodhej Donald Trump në Florida.
Sipas CNN, FBI do ta hetojë si një tentativë për vrasje, ndërsa nga raportimet e para u bë me dije se të shtënat ishin shkëmbyer mes dy personash, dhe se nuk kishin si shënjestër ish-presidentin.
Ndërkohë në pranga është vënë një person, teksa nuk ka pasur asnjë të lënduar. Trump tha se është “shëndoshë e mirë” dhe se asgjë nuk do ta ndalte.
Për ngjarjen kanë reaguar edhe Presidenti Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris, duke thënë se “ndihen të lehtësuar” që Trump është mirë.
Rreth dy muaj më parë, Donald Trump i shpëtoi një atentati në një tubim në Pensilvani ku një plumb e plagosi në vesh. Ish-Presidenti Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas dhe një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah. Masat e sigurisë për kandidatin republikan janë shtuar pas atentatit ndaj tij në muajin korrik.
Top Channel