“Prokurorët e SPAK monstra, vrasës, hajdutë”/ Berisha publikon pjesë të dosjes ku akuzohet për korrupsion, Fatmir Bektashi sponsor i Koçiantes dhe ish-këshilltarit të tij

14/09/2024 14:46

Sali Berisha vendosi të publikojë një pjesë nga dosja voluminoze prej 500 faqesh, për të cilën SPAK e mori  të pandehur për privatizimin e ish-klubit “Partizani”.

Lideri i opozitës sfidoi sërish prokurorët e Posaçëm duke thirrur për herë të parë një konferencë virtuale me gazetarët, ku fillimisht sulmoi njerëzit e drejtësisë, si dhe kreun e SPAK Altin Dumanin, vetëm tri ditë pasi ndaj tij u ngrit akuza për ‘korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë në bashkëpunim’.

“Je bërë më i lig, më i ulët se sa padroni yt vrasës, përdhunues, hajdut. Të tillë janë sot anëtarët e organizatës kriminale SKAP-i partisë apo prokurorisë private të Edi Ramës, të cilët Juri Kim ua serviri shqiptarëve si heronjtë e fëmijëve të tyre, por në fakt janë monstrat të fëmijëve tanë, përfshi këtu fëmijët autikë”, tha Berisha.

Revolta e ish-kryeministrit lidhet me emrin e bashkëshortes Liri Berisha, e cila rezulton të jetë pjesë e dosjes hetimore për paratë që janë derdhur ndër vite, në fondacionin e drejtuar prej saj “Fëmijët Shqiptarë”

“Në aktakuzën e tyre, monstrat e fëmijëve tanë nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 gjer në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro”, u shpreh kryetari i PD.

Por, Sali Berisha nuk akuzohet se është korruptuar vetëm nga dhëndri dhe vajza e tij, por edhe nga biznesmeni Fatmir Bektashi i marr dhe ai i pandehur gjithashtu, pasi akuzohet se ka derdhur para në llogari të fondacionit të bashkëshortes së ish-kryeministrit.

“Në aktakuzën e turpshme figurojnë dhe financimet e përbashkëta, që janë bërë për paditë gjyqësore nga familja jonë si dhe dhurata që Fatmir Bektashi i ka bërë fondacionit ‘Fëmijët shqiptarë’ për festën e Vitit të Ri.  Përveç kësaj, ky biznesmen paska sponsorizuar dhe ky është akt, sipas tyre korruptiv, në vitin 2013, një udhëtim të Rikardo Koçiantes, mentorit të këngëtares së njohur, Elhaida Dani, e cila nën instruksionet dhe mbështetjen e tij, fitoi ‘Voice of Italy’”, tha ish-kryeministri.

Sali Berisha mohoi të ketë dijeni dhe sponsorizimet që Fatmir Bektashi ka bërë për ish-këshilltarin e tij Flamur Kuçi.

“Së fundmi, akt korruptiv, provë tjetër kanë sjellë se Fatmir Bektashi paska sponsorizuar një biletë të Flamur Kuçit në studion e Libeskindit, për të cilin Sali Berisha nuk ka asnjë dijeni. Fatmir Kuçi ka qenë këshilltar te unë, por ka qenë edhe pedagog në universitet. Udhëtimi i tij te Libeskind nuk ka pasur asnjë lidhje me projektin që ky arkitekt i madh kishte hartuar për Homeplanin”, thotë ai.

Berisha paralajmëroi se do bëjë publike çdo ditë pjesë të dosjes të cilën nuk ka përfunduar së lexuari ende, ndërsa i pyetur për përfshirjen e së bijës në politikë, tha se një vendim i tillë është në dorën e Argitës dhe jo të tijën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA