Festa e koranit, 1.8 milionë rasate nga peshku i rrallë u hodhën në liqenin e Ohrit

14/09/2024 19:47

1,8 milionë rasate korani janë hedhur në liqenin e  Ohrit, një proces që kryhet me qëllim shtimin e një prej specieve më të rralla të peshkut.

Rasati i koranit i cili rritet në qendrën e Linit hidhet çdo vit në liqen në periudhën e vjeshtës. Synimi është ulja e rrezikut të zhdukjes për këtë lloj peshku i cili është gjuajtur pa kriter.

Masat shtrënguese për peshkimin dhe hedhja e rasatit sipas specialistëve kanë ndikuar pozitivisht në prezencën e koranit në ujërat e liqenit të Ohrit

Për autoritetet lokale dhe operatorët turistikë  peshku i njohur i Pogradecit mbetet ndër më të kërkuarit nga turistët të cilët këtë sezon veror ishin të shumtë.

Hedhja e rasatit është ndërthurur edhe me disa aktivitete nga bashkia e qytetit liqenor e cila ka organizuar Festën e Koranit me synimin për ta bërë pjesë të kalendarit vjetor  të aktiviteteve ku mes të tjerash janë ekspozuar edhe gatime të larmishme me koran

Hedhja e rasatit të koranit nisi vite më parë si një iniciativë e përbashkët mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut por prej 4 vitesh rasati po hidhet vetëm nga pala shqiptare. Vitin e kaluar në ujërat e liqenit të Ohrit u hodhën 1.7 milionë rasate korani ndërsa synohet që vit pas viti kjo shifër të rritet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA