Nuk ka qetësi këto kohë për Gjermaninë.
Autoritetet vendase të sigurisë janë në gatishmëri të lartë pas disa sulmeve me thikë, përfshirë atë të Solingenit me 3 viktima, përgjegjësinë e të cilit e mori përsipër Shteti Islamik.
Së fundi, një shtetas sirian, i dyshuar për qëndrime radikale islamike, është arrestuar në Hof të Bavarisë nën dyshimin se kishte planifikuar të vriste me hanxharë ushtarë gjermanë atje.
I dyshuari, 27 vjeç, kishte siguruar edhe dy hanxharë rreth 40 centimetra të gjatë.
I riu thuhet se planifikonte të vriste sa më shumë ushtarë të Forcave të Armatosura të Gjermanisë në Hof, dhe do të godiste në kohën e pushimit të drekës.
Sipas prokurorisë, përmes këtij akti, 27-vjeçari synonte të tërhiqte vëmendje dhe të krijonte një ndjesi pasigurie mes qytetarëve, edhe kështu të tronditur nga një sërë episodesh të dhunshme në vend.
Në vazhdën e sulmeve vdekjeprurëse me thikë, të cilat kishin për autorë azilkërkues, qeveria gjermane vendosi ashpërsimin e kontrolleve në kufi.
Kontrollet në atë që është zonë e gjerë e lëvizjes së lirë do të fillojnë më 16 shtator dhe fillimisht do të zgjasin gjashtë muaj. Të martën, autoritetet gjermane njoftuan edhe propozimet për ashpërsimin e rregullave të BE-së për azilin, përfshirë ndalimin e azilkërkuesve dhe ndalimin e tyre derisa autoritetet të vendosin nëse Gjermania është përgjegjëse për përpunimin e rasteve në fjalë.
Top Channel