Spektakli dedikuar talenteve “Yjet shqiptarë të diasporës” është gati për të nisur rrugëtimin e ri me shqiptarët kudo në botë, pas një pune intensive 1-vjeçare.
Ky projekt i mbështetur nga fondacioni Dritan Hoxha dhe Top Channel do të fillojë regjistrimet nga 21 shtatori në Itali, për të vijuar promovimin e yjeve të diasporës, vlerave kuqezi në Europë e Ballkan.
Kështu, për herë të parë në ekranet shqiptare, vetëm në Top Channel bëhet e mundur që një talent show të xhirohet jashtë kufijve shqiptarë. Por kjo do të jetë vetëm faza e parë e projektit.
“Yjet shqiptarë të diasporës është një projekt dedikuar të gjithë talenteve, të gjithë atyre që ne jemi në mbarë botën, dhe sigurisht për promovimin , zbulimin e gjakut tonë, të artit tonë në të gjithë trevat që jetojmë. Do jetë gjithëpërfshirës ky projekt, duke filluar nga mosha 14-30 vjeç në të gjithë fushat e artit skenik, nga kërcimi, interpretimi, kënga, aktrimi, moderimi… Skena është aty dhe do mund ta përdorin ata si të duan!”, shprehet si fillim Ilir Shaqir.
Ilir Shaqiri në moderim me bashkëpunimin e Ledja Likut, na zbulojnë synimet e programit më të ri televiziv që pritet të jetë në transmetim në muajin e parë të 2025 në Top Channel.
“Është një sfidë shumë e madhe për mua. Të prezantosh veten është një gjë, të prezantosh të tjerët është dicka tjetër me emocion. Transmetimi fillon në janar, do të jenë shumë puntata ku do të tregojmë të gjithë ata që janë konkurrentët, të cilët kanë aplikuar dhe i ftoj të aplikojnë të mos e humbasin këtë rast që fondacioni Dritan Hoxha dhe Top Channel po ju jep. Gjëja më e veçantë është që do kthehen këtu në Tiranë, në Top Channel për të krijuar atë që është finalja e madhe….”, shton ai.
Interesi është i madh për të marr pjesë në talent show gjigant të Top Channel, teksa aplikimet për të konkurruar janë ende të hapura. Produksioni premton një show emocionues.
“Ne shkojmë ju bëjmë qokën ashtu siç themi ne, njerëzve tanë kudo në botë, duke ju dhënë mundësinë që të tregojnë kush janë. Ju premtoj që do jetë një gjë shumë e veçantë! Ju presim, në 21 shtator në Romë dhe më 5-6 tetor në Dortmund, Gjermani”, përfundon Ilir Shaqiri.
Top Channel