Nis punimet Samiti i Grave Afgane në Tiranë/ Ministri Hasani: Vajzat nga Afganistani po integrohen në shoqërinë tonë, garantimi i të drejtave të tyre, prioritet i qeverisë

11/09/2024 10:11

“Gratë për Afganistanin” mblodhi bashkë në Tiranë 120 gra afgane nga e gjithë bota, përfshirë edhe një grup të vogël të ardhur nga Afganistani.

Samiti, i pari i këtij lloji dhe u organizua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit tonë nën moton “Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe shtegtarit”. Rreth 3000 afgane u strehuan në Shqipëri që nga viti 2021 kur në Afganistan u instalua regjimi shtypës taleban. Aktualisht në Shëngjin ndodhen 100 afganë në pritje për t’u nisur drejt Shteteve të Bashkuara.

Presidentja e “Gratë për Afganistanin” tha se iu kërkuan shumë vendeve ndihmë për mbajtjen e këtij samit, por të gjithë paraqiten justifikime.

“Shqipëria ishte e vetmja që na mirëpriti. Nuk ka rëndësi sa i madh apo i vogël është një vend, rëndësi ka zemra. Nuk e harrojmë solidaritetin që shqiptarët treguan për gratë afgane. Kanë kaluar 3 vite dhe motrat tona nuk shkojnë dot as në shkollë, as në punë. Por ne nuk dorezohemi do të jemi kampione të të drejtave tona. Në këtë samit do të merren vendime që do zbatohen në Afganistan”, u shpreh Fawzia Koofi, Presidente e “Gratë për Afganistanin”.

“Gjatë dy viteve të fundit, talebanët kanë shpallur të paktën 70 dekrete dhe udhëzime që godasin drejtpërdrejt të drejtat themelore dhe realitetin e përditshëm të grave dhe vajzave, duke i kthyer ato në objekt të diskriminimit sistematik të bazuar në gjini dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Këto masa vërehen qartë në kufizimet e rënda të vendosura mbi qasjen e grave dhe vajzave në hapësira publike, mundësitë për t’u punësuar, të drejtat riprodhuese, kujdesin shëndetësor për nënat dhe shërbimet për shëndetin mendor. Nën regjimin taleban, Afganistani është kthyer në vendin e vetëm në botë ku vajzave dhe grave u ndalohet e drejta për të ndjekur arsimin e mesëm dhe të lartë. Nuk mund të ketë një shoqëri njerëzore të drejtë që nuk respekton dhe vigjilon mbi të drejtat e gruas”, tha ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

“Mos i lejoni talebanët t’ju përcajnë. Ne jemi krah jush dhe e kemi për nder t’ju mbështesim. Ne do të përdorim çdo mjet të ligjshëm që ju ta përmbushni misionin“, tha Rina Amiri, e dërguara Speciale e Shteteve të Bashkuara.

Fjalimet në samit ndërpriteshin nga një grup grash, që mbanin pankarta në duar me thirrjet “Ndal Aperteidit Gjinor në Afganistan dhe Jo talebanëve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA