Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiç – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.
“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiç, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Abazi në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.
Aktakuza nuk u bë publike, e ngjashëm as emrat e të përfshirëve të tjerë.
Në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Prokurori Abazi nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të udhëheqjes së Serbisë në sulm – gjë që, më herët, është potencuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, edhe pse ajo vetë e ka mohuar.
Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiç, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer, po ashtu, hetime për rastin.
Ajo e ngarkon Radoiçiçin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Në deklarimin e fundit që bëri për REL-in, më 15 korrik, kjo prokurori tha se hetimet për rastin “janë duke vazhduar”.
Kush është Radoiçiç?
Millan Radoiçiç ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai dha dorëheqje nga kjo pozitë pak ditë pas sulmit në Banjskë.
Prej vitesh, ai është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar.
Përndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit e cilëson atë si kriminel që duhet të mbahet përgjegjës.
Çfarë tha tjetër Prokuroria e Kosovës?
Prokurori Abazi tha se falë bashkëpunimit ndërkombëtar me SHBA-në, me shtete të BE-së dhe të tjera, prokuroria ka arritur të sigurojë “prova që ndihmuan në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”.
Abazi i përshkroi hetimet për këtë rast si “më komplekset” që ka pasur ndonjëherë kjo prokurori.
Ai tha se janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe me të pandehur, ndërsa “janë sekuestruar dhe konfiskuar prona, automjete të blinduara, para të gatshme dhe llogari bankare, të cilat dyshohet se janë fituar nga aktivitete të paligjshme”.
Sipas tij, janë konfiskuar edhe “1.266 armë dhe pajisje të tjera”.
“Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitete të mëtejshme kriminale, duke goditur strukturën financiare të këtij grupi kriminal”, tha Abazi.
Sa i përket veprës penale të pastrimit të parave, shtoi ai, hetuesit kanë zbuluar se “fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve të ndërlikuara financiare, duke përfshirë biznese të regjistruara në emra të personave të tretë dhe investime në pasuri të paluajtshme”.
“Nga kjo aktakuzë, presim që të gjithë të përfshirët në këtë rast të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”, tha Abazi.
Pas njoftimit për ngritjen e kësaj aktakuze, Radio Televizioni i Serbisë citoi kryeprokurorin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, të ketë thënë se “nga pikëpamja e rendit juridik të Republikës së Serbisë, aktakuza e ‘institucioneve të përkohshme në Prishtinë’ kundër Millan Radoiçiçit dhe të tjerëve nuk ka asnjë rëndësi”.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha se aktakuza është ngritur në “afat rekord”.
“Nisur nga fakti që Republika e Kosovës, fatkeqësisht, nuk ka pasur në dispozicion laboratorë për të bërë ekzaminimin e shumicës së provave dhe është dashur ndihma juridike ndërkombëtare nga shtete të ndryshme të botës, mund të themi se aktakuza është ngritur në një afat shumë të shpejtë”, tha Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Por, ai shtoi se “mbetet e paqartë nëse aktakuza ka të bëjë me agresion shtetëror kundër Kosovës” apo lidhet vetëm me grupin e udhëhequr nga Radoiçiç.
Në fund të vitit të kaluar, me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiçin.
Ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi, në Kosovë janë të ndaluar tre persona në lidhje me rastin.
Çfarë bëri Serbia?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha pas sulmit se Radoiçiç gjendet në “territorin e Serbisë qendrore”.
Që atëherë, nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar për vendndodhjen e tij.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha në tetor të vitit të kaluar se Radoiçiç akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla – qytet në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës – në periudhën nga janari deri më 24 shtator të vitit të kaluar.
Ai u akuzua edhe për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Gjykata e Lartë në Beograd, tetorin e kaluar, e refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e tij dhe e la të lirë, por ia konfiskoi pasaportën dhe ia ndaloi shkuarjen në Kosovë.
Ndikimi në marrëdhëniet Kosovë-Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me dorëzimin e Radoiçiçit dhe të “grupit të tij paramilitar terrorist” tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
“Për aq kohë sa Radoiçiç dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha Kurti më 28 qershor.
Udhëheqja shtetërore në Serbi ka mohuar disa herë se ka gisht në sulmin në Banjskë.
Në ditët pas tij, autorietet e Kosovës kanë zbuluar sasi të madhe armatimi në Banjskë, që, sipas vlerësimeve të disa ushtarakëve, ka pasur potencial për të shkaktuar dëme të mëdha ndaj infrastukturës civile dhe forcave policore.
Komuniteti ndërkombëtar, disa herë, ka bërë thirrje për llogaridhënie dhe ka kërkuar që ata që janë të përfshirë në sulmin në Banjskë, të sillen para drejtësisë./ REL
Top Channel