Inside Story/ Lista e barnave të rimbursueshme peng për mbi 3 vite, zbulohet dëmi kolosal

11/09/2024 22:02

Kur flasim për barnat dhe mundësitë e pacientëve për t’i siguruar, vëmendja përqendrohet të lista e barnave të rimbursueshme, nga e cila përfitojnë të sëmurët kronikë.

Shpesh herë, kjo listë është përdorur për të përfituar. Një auditim i fundit i KLSH nxjerr në pah problematika të shumta. Ky dokument është konfidencial dhe ende nuk është bërë publik. Teksa Inside Story kryente këtë investigim, kemi mësuar se raporti është paraqitur në Prokurori.

Sipas auditimit, të paktën 1 milionë euro është dëmi i shkaktuar në buxhet për shkak të mos hartimit të listës së barnave që mbeti e pandryshuar për 3 vite e gjysmë. Një sërë produktesh të reja kanë hyrë në treg me kosto më të ulët, por ato nuk u futën në listë.

FSDKSH, nuk ka një dispozitë rregullatore mbi mënyrën e hartimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme, kjo pasi hartimi i Listës deri më tani ka ecur në spontanitet, në disa raste nuk hartohet për vitin buxhetor, gjë e cila e ka ekspozuar FONDIN drejt një risku të lartë. Nga futja e alternativave të reja minimalisht buxhetit do t’i ishin kursyer rreth 939 mijë Euro, ose 114.3 milion lekë.

Buxheti i rimbursimit të barnave për FSDKSH përcaktohet në mënyrë specifike në ligjin e buxhetit në nen të veçantë. Për rimbursimin e barnave, vit pas viti janë vendosur kufij me qëllim që të mos tejkalohet fondi i akorduar nga buxheti i shtetit. Po ashtu, synohet mbajtja nën kontroll e skemës së sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

“Nëse këto nevoja plotësohen, nuk do jepen 5 mln për barna por jepen 10 për medikamentet, nëse bëhen 50 shtretër dhe jo 19 qytetarët nuk kanë pse të zihen për radhën”, u shpreh Gazmend Koduzi, Profesor i Menaxhimit Shëndetësor.

“Ne e kemi buxhetin por shëndetësia trefish më pak se sa e ka Serbia, 5 herë me pak se sa e kane vendet Europiane. Duke e krahasuar me vendet e rajonit jemi shumë keq, edhe Kosova ka buxhet më të mirë në sektorin e Shëndetësisë. Problematika tjetër çfarë ne shohim është korrupsioni i madh që ndodh në sektorin e shëndetësisë. kur flasim për korrupsion e kam fjalën për PPP-të e famshme të cilat zënë miliona euro dëme që ndodhin në këtë sektor, janë tenderat me miliona euro”, u shpreh Eglantina Bardhi, Shoqata “Together for Life”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA