Për 90 minuta, ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris u përplasën në përballjen e tyre të parë me njëri-tjetrin mbi çështje të konsideruara kyçe për zgjedhjet e 5 nëntorit si aborti, emigracioni apo luftërat e vazhdueshme në Gaza dhe Ukrainë.
Vetëm pak javë kanë mbetur deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA, e kandidatët janë përfshirë veç të tjerash edhe në atë që konsiderohet si betejat më të vështira të kësaj fushate, e që është tërheqja e votuesve të pavendosur.
Njerëz që panë Washington DC sesi Harris kalonte në ofensivë kundër Trumpit në debatin e egër televiziv, thanë se ajo arriti ta përballonte mirë këtë moment.
Disa qytetarë u shprehën:
“U kënaqa nga debati. Ajo arriti vërtet të prekte çështje që janë të rëndësishme për amerikanët. Mendoj se diskutimi mbi abortin ishte shumë i rëndësishëm, gënjeshtra që tha Donald Trump për vrasjen e foshnjave pas lindjes ishte absolutisht e tmerrshme dhe fakti që Kamala e trajtoi atë drejtpërdrejt, u vlerësua me të vërtetë shumë”.
“Mendoj se Kamala Harris bëri një punë vërtet të mirë. Them se ishte jashtëzakonisht koherente, dhe çështjet që ngriti, i zotëroi me sukses”.
“Unë them se ajo nuk ka për të bërë asnjë gjë për këtë vend dhe i lutem Zotit që të mos votohet. Shpresoj që të gjithë të jenë mjaftueshëm të zgjuar dhe të dëgjojnë Trumpin, sepse ai di si ta drejtojë Amerikën”.
BBC foli me 6 votues të cilën e konsideruan këtë debat si vendimtar për votën e tyre në 5 nëntor. 2 prej tyre thanë se tani po anojnë nga Harris, një nga Trump, të tjerët mbeten të pavendosur.
Debati, i organizuar nga kanali ABC, u mbajt në Qendrën Kombëtare të Kushtetutës në Filadelfia.
Siç ishte rënë dakord nga drejtuesit e fushatave, nuk kishte audiencë të drejtpërdrejtë dhe mikrofonat e kandidatëve ishin të fikur në momentet kur kandidatët nuk e kishin radhën e tyre për të folur.
Top Channel